Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka shprehur ngushëllimet e tij të thella për viktimat e incidentit tragjik të ndodhur në Elevador da Glória të Portugalisë, ku të paktën 15 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë kanë mbetur të plagosur në aksidentin me tramvaj në qytetin e Lisbonës.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, kreu i shtetit shqiptar ka shprehur trishtimin e tij për ngjarjen dhe ka përcjellë solidaritetin me familjet e prekura dhe të lënduarit.
“I pikëlluar nga incidenti tragjik në Elevador da Glória në Lisbonë. Ngushëllimet e mia më të thella për familjet që kanë pësuar një humbje kaq të rëndë. Mendimet e mia janë me të lënduarit dhe u uroj atyre një shërim të shpejtë dhe të plotë”, shkruan Begaj në rrjetet sociale.
Sistemi i transportit hekurudhor që lëviz në shpatin e pjerrët të Lisbonës me ndihmën e kabllove, një atraksion historik, doli nga shinat dhe u përplas me një ndërtesë, duke shkaktuar tragjedi në një nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit, ku të paktën 15 persona humbën jetën. Vendi e ka shpallur të enjten ditë zie.
Shkaqet e aksidentit nuk dihen ende, ndërsa mes viktimave pati edhe turistë. Kryebashkiaku i Lisbonës, Carlos Moeda, tha se qyteti është në zi, duke e quajtur aksidentin një moment tragjik.
“Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për të gjitha familjet dhe miqtë e viktimave. Lisbona është në zi“, shkruan ai.
Funikulari Gloria, i cili daton nga viti 1885, është një prej simboleve më të njohura të Lisbonës, që transporton çdo ditë qindra turistë dhe vendas. Hekurudha lidh qendrën e Lisbonës me lagjen e sipërme dhe është e popullarizuar nga turistët./rtsh
Publikohet orari i Kupës së Botës, nis më 11 qershor
Forcat izraelite vrasin 6 terroristë, arrestohen dhjetëra të...
OEK i reagon Rizvanollit, do të iniciohet procedurë ligjore...
Haradinaj nominohet për kryeministër: Aleanca në zgjedhje ni...
Këshilltari i komandantit të KFOR-it takon kryetarët e zgjed...
Osmani bisedon me Guerot për marrjen e detyrave nga kryetarë...