FFK-ja hap procedurë ndaj Ismet Munishit, e ofendoi gjyqtarin dhe lojtarin e Malishevës

20:02 | 3 Shtator 2025
D.H

Komisioni i Garave i Superligës, në FFK, ka hapur procedurë disiplinore ndaj trajnerit të mirënjohur Ismet Munishi për reagimet dhe ofendimet e tij, gjatë ndeshjes me Malishevën.

Në duelin e javës së tretë të Superligës, të zhvilluar të dielën që shkoj, Munishi, sipas raportit të vëzhguesit të ndeshjes, Malisheva – Dukagjini (0:1), ka ofenduar gjyqtarin e ndeshjes por edhe lojtarin kundërshtar, Etnik Brruti.

“Komisioni i Garave pas administrimit të të gjitha materialeve dhe shkresave të prezantuara, incizimeve televizive, raporteve të personave zyrtarë të FFK-së si dhe medieve vendosi për Inicime disiplinore, ndaj: Kryetrajnerit të KF “Dukagjini”, Ismet Munishi (ID: 365) Motivi: Gjatë ndeshjes ka reaguar në mënyrë të pahijshme ndaj vendimeve të gjyqtarit, duke e fyer dhe ofenduar si dhe ofendon lojtarin kundërshtar. Kjo sjellje bie ndesh me etikën sportive dhe rolin edukativ të trajnerit (pedagogut, edukatorit).(RECIDIVIST) Sipas xhirimit televizive te ndeshjes Malisheva-Dukagjini”, thuhet në vendim të KG të FFK-së.

Tani me rastin do të merret Komisioni disiplinor i FFK-së.

 

Shpërndaje në rrjete sociale