Një flotë ndërkombëtare e quajtur Global Sumud, e përbërë nga dhjetëra varka dhe aktivistë nga 44 vende, po përgatitet të niset drejt Rripit të Gazës me qëllimin për të dorëzuar ndihma humanitare dhe për të ushtruar presion mbi komunitetin ndërkombëtar, pas më shumë se 20 muajsh pasivitet përballë krizës humanitare në këtë territor.
Nisjet e para janë planifikuar për më 31 gusht nga Spanja dhe Genova, nëse kushtet e motit e lejojnë. Më 4 shtator do të bashkohen edhe anije të tjera nga Sicilia, Tunizia dhe Greqia, të gjitha me destinacion përfundimtar Gazën. Flotilja është e përbërë nga mjete të vogla lundrimi, me jo më shumë se dhjetë persona në secilën, për të shmangur çdo keqinterpretim të natyrës së misionit.
Në bord do të jenë aktivistë të njohur ndërkombëtarisht, përfshirë sërish Greta Thunberg, pavarësisht se më parë është ndaluar në ujëra ndërkombëtare dhe është dëbuar me ndalim 100-vjeçar për të hyrë në Izrael. Ajo do të niset nga Barcelona, së bashku me aktivistët Thiago Avila dhe Yasemin Acar.
Flota ka marrë mbështetje të gjerë nga vende të Azisë Juglindore, si Indonezia, Pakistani, Maldivet, Sri Lanka, Bangladeshi, Tajlanda dhe Filipinet, që kanë përgatitur delegacionet e tyre. Në bordin e anijeve do të jenë gjithashtu parlamentarë, gazetarë, juristë dhe mjekë, duke i dhënë misionit një përmasë të fuqishme ndërkombëtare.
Organizatorët theksojnë se misioni është paqësor dhe jo i dhunshëm, por shprehin shqetësim për mundësinë e një reagimi të ashpër nga Izraeli, siç ndodhi në vitin 2010, kur komando izraelite sulmuan anijen turke Mavi Marmara, duke vrarë 10 aktivistë.
Në Itali, veçanërisht në Genova, është nisur një fushatë e madhe për mbledhjen e ndihmave humanitare, me synimin për të grumbulluar të paktën 45 tonë ushqime dhe barna emergjence. Organizatorët janë të bindur se jo vetëm do ta arrijnë këtë objektiv, por edhe do ta tejkalojnë.
Emri i flotës, “Sumud”, që në arabisht do të thotë “qëndresë” ose “rezistencë”, simbolizon frymën e vendosmërisë së këtij misioni për t’u përballur me padrejtësitë dhe për të treguar solidaritet me popullin palestinez./abcnews.al
OVL e UÇK-së thërret konferencë për media
Superheronjtë zbresin sot në QKUK me dhurata dhe buzëqeshje ...
A ka ende mundësi për një bashkëpunim PDK-Nisma – Gruda jep ...
Sot mbahen seancat inauguruese në katër komunat veriore të K...
Moti sot kryesisht i vranët, herë pas here priten edhe reshj...
Shtëpia e Bardhë u dërgon paralajmërim të madh tifozëve që p...