Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, u zotua se Qyteti i Gazës do të shkatërrohet nëse Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – nuk pajtohet të çarmatoset, nuk liron pengjet e mbetura dhe nuk i jep fund luftës sipas kushteve të Izraelit.
“Së shpejti, dyert e ferrit do të hapen për kokat e vrasësve dhe përdhunuesve të Hamasit në Gazë – derisa ata të pajtohen me kushtet e Izraelit për t’i dhënë fund luftës, për lirimin e të gjitha pengjeve dhe çarmatosjen e tyre”, shkroi ai në rrjetet sociale.
“Nëse ata nuk pajtohen, Gaza, kryeqyteti i Hamasit, do të bëhet Rafah dhe Bei Hanun”, shtoi ai, duke iu referuar dy qyteteve në Gazë që kanë pësuar shkatërrim në masë gjatë operacioneve paraprake izraelite.
Deklaratat e Katzit vijnë pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të enjten mbrëma se kishte urdhëruar negociata të menjëhershme që synonin lirimin e të gjitha pengjeve të mbetura në Gazë.
Netanyahu shtoi se përpjekja për lirimin e pengjeve do të bëhej në të njëjtën kohë me operacionin për marrjen e kontrollit të Qytetit të Gazës dhe shkatërrimit të bastionit të Hamasit.
Më herët gjatë javës, Ministria izraelite e Mbrojtjes autorizoi thirrjen e pothuajse 60.000 rezervistëve për të ndihmuar në marrjen e Qytetit të Gazës.
“Këto dy çështje – mposhtja e Hamasit dhe lirimi i pengjeve – shkojnë së bashku”, tha Netanyahu përmes një video-deklarate, pa dhënë detaje të tjera se çfarë do të përfshijë faza e re e bisedimeve.
Ndërmjetësit janë duke pritur për ditë të tëra për një përgjigje zyrtare të Izraelit lidhur me një propozim të bërë së voni për armëpushim, të cilin Hamasi e ka pranuar.
Planet e Izraelit për zgjerimin e luftimeve dhe marrjen e Qytetit të Gazës kanë nxitur shqetësime ndërkombëtare, por edhe kundërshtime brenda Izraelit.
Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor 2023, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë.
Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 62.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë enklavë palestineze./rel
Hamza në Presidencë për takim me Osmanin: Do t’i shqyrtojmë ...
Nis takimi i Osmanit me liderët e partive politike për datën...
Haradinaj arrin në Presidencë për takim me Osmanin
VV s’i shkon në takim Vjosa Osmanit
Udhëheqësit fetarë rrethojnë Trumpin dhe luten për të, pamje...
Izraeli sulmon bunkerin nëntokësor të liderit të Iranit