Avdullahu në udhëkryq mes Kosovës dhe Zvicrës, shumë shpejtë pritet zgjedhja e tij

18:34 | 19 Gusht 2025
D.H

Kosova dhe Zvicra janë në “luftë” për talentin e ri 21-vjeçar, Leon Avdullahu i cili kërkohet me ngulm nga të dyja kombëtaret.

Gazeta e madhe zvicerane “Blick” ka shkruar se javën e kaluar drejtuesit e Përfaqësueses së Zvicrës e kanë vizituar Avdullahun te klubi i Hoffenheimit. Synimi i vetëm i tyre ishte që ta bindin mesfushorin e talentuar të qëndrojë besnik ndaj Zvicrës dhe që të mos vendos që ta përfaqësojë Kosovën.

Mësohet se Avdullahu është në listën e selektorit të Zvicrës, Murat Yakin, që mund të ftohet për ndeshjet e muajit të ardhshëm që janë të vlefshme për kualifikimet e Kupës së Botës që mbahet në vitin 2026 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë. Pikërisht Zvicra luan ndaj Kosovës dhe ndaj Sllovenisë.

Kujtojmë se muaj më parë edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi e ka takuar Avdullahun në Bazel.

Madje sipas asaj që shkruan Blicku, një delegat i Kosovës ishte pranishëm në seancën e parë stërvitore që e mbajti Avdullahu me Hoffenheimin në muajin e kaluar.

Mësohet se 21-vjeçari pritet të marrë vendim së shpejti se për cilën përfaqësuese do të luajë.

Avdullahu ka luajtur për të gjitha grupmoshat e Zvicrës. Leoni këtë sezon u transferua tek Hoffenheimi ku nënshkroi një kontratë tri-vjeçare me klubin gjerman.

Teksa këtë fundjavë debutoi në ndeshjen e Kupës së Gjermanisë ndaj Rostockuut, ku luajti 90 minuta dhe skuadra e tij fitoi 4-0./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale