Muriqi i madh, dy gola Realit e dy Barcelonës

11:58 | 16 Gusht 2025
Q L

Nuk i jepet lavd aq sa e meriton.

Dardani Vedat Muriqi u ka shënuar nga dy gola dy klubeve diskutueshëm më të mëdha në botë, Real Madridit dhe Barcelonës.

Ai sot ka shansin të shënojë sërish kundër kampionit në fuqi, Barcelonës, në javën e parë të edicionit të ri në La Liga.

Ndaj Realit ai njeh gjashtë paraqitje, duke shënuar dy herë, madje në njërën qe shpallur lojtar i ndeshjes.

Sefte ia pati bërë Realit më 11 shtator të vitit 2022, duke kaluar në epërsi Real Mallorca-n në “Santiago Bernabeu” ndonëse humbi ndeshjen, 4:1.

I dyti ndaj Mbretërve erdhi më 18 gusht të vitit 2024, kur Dardani kishte shënuar golin e barazimit, 1:1, sërish në La Liga.

Pirati s’e ka falur as Barcelonën, duke ia dhënë po ashtu dy gola, ama në pesë paraqitje.

Golin e parë kundër tyre, prizrenasit e kishte shënuar në vitin 2023. Ai kishte kaluar vendësit në avantazh në minutën e tetë, dhe kishte asistuar për 2:1, ndonëse mysafirët kishin arritur të rrëmbenin një barazim.

Të dytin ndaj kampionit në fuqi e shënoi më 3 dhjetor të vitit të shkuar, kur kishte barazuar rezultatin në 1:1 në takimin që Mallorca eventualisht do ta humbiste, 1:5 në xhiron e 19-të të La Ligës.

Shpërndaje në rrjete sociale