Eksperti britanik: Kosova duhet të promovojë më shumë historinë e saj të lashtë

12:22 | 5 Gusht 2025
E.K

Profesori i historisë në Universitetin e Oksfordit dhe ekspert britanik për Ballkanin, James Pettifer, ka theksuar se Kosova duhet të informojë më shumë botën për historinë e saj të lashtë.

Ai reagoi duke shpërndarë shkrimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për qytetin antik romak të Ulpianës, rrënojat e të cilit ndodhen pranë Prishtinës dhe vazhdojnë të sjellin zbulime të jashtëzakonshme falë punës së një ekipi arkeologësh nga Kosova dhe Franca.

“Lajm i mirë vërtet. Por Kosova duhet ta informojë botën shumë më tepër rreth historisë së saj të lashtë. Shumë pak libra apo edhe broshura të vlefshme janë të disponueshme në shumë vende të rëndësishme për momentin”, ka shkruar eksperti britanik.

Ndërkaq, kryeministri në detyrë Albin Kurti bëri me dije se është identifikuar një mbishkrim i dytë, i dedikuar perandorit Justinian dhe perandoreshës Theodora, lidhur me ndërtimin e bazilikës episkopale në Ulpianë.