BE hap grupkapitullin e fundit me Shqipërinë, Rama: Progres i vazhdueshëm dhe dinamik

15:13 | 23 Korrik 2025
E.G

Një tjetër hap i rëndësishëm është shënuar në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Ambasadorët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian kanë miratuar unanimisht hapjen e grupkapitullit të pestë me Shqipërinë, i cili përfshin Burimet, Bujqësinë dhe Kohezionin. Ky është kapitulli i fundit në kuadër të negociatave për anëtarësim.

Lidhur më këtë lajm, kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke e cilësuar vendimin si një tjetër dëshmi të progresit të qëndrueshëm të Shqipërisë drejt familjes evropiane.

“Sot, më 23 korrik 2025, në vijim të progresit të vazhdueshëm e dinamik të Shqipërisë në rrugën e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Vendeve Anëtare të Bashkimit Europian autorizoi Presidencën Daneze të ftojë Shqipërinë për të paraqitur Pozicionin e saj Negociues për negociatat lidhur me kapitujt që përbëjnë Grupkapitullin 5 ‘Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni’”, shkruan Rama.

Në vijim, pritet që në fillim të muajit shtator të mbahet konferenca e gjashtë ndërqeveritare, e cila do të shënojë zyrtarisht hapjen e të gjithë kapitujve të negociatave me synimin që Shqipëria të anëtarësohet plotësisht në BE deri në vitin 2030.

Në këtë konferencë do të diskutohet edhe Grupkapitulli 4, që përfshin Axhendën e Gjelbër dhe Lidhshmërinë e Qëndrueshme, me fusha si transporti, rrjetet trans-evropiane, energjia, mjedisi dhe ndryshimet klimatike.

/rtsh.al/

 

Shpërndaje në rrjete sociale