Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara mund të godasin përsëri objektet bërthamore të Iranit, nëse situata e kërkon një gjë të tillë.
Deklarata e fortë erdhi pasi ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, pranoi për Fox News se tre objekte bërthamore u dëmtuan rëndë nga sulmet ajrore amerikane në qershor.
“Sigurisht që janë dëmtuar, ashtu siç e kam thënë më parë. Dhe do ta bëjmë përsëri, nëse është e nevojshme!”, shkroi Trump në rrjetin e tij Truth Social, duke reaguar ndaj komenteve të Araghchit.
Sulmet amerikane të 22 qershorit goditën tri qendra të pasurimit bërthamor në Fordow, Natanz dhe Isfahan, gjatë konfliktit 12-ditor mes Izraelit dhe Iranit.
Trump pretendoi se këto goditje “shkatërruan plotësisht” kapacitetet bërthamore të Iranit, por një raport i mëvonshëm i inteligjencës amerikane sugjeroi se dëmi ishte i përkohshëm, duke e vonuar programin vetëm me disa muaj. Shtëpia e Bardhë mohoi vlerësimin, duke e cilësuar atë si “krejtësisht të pasaktë”.
Në të njëjtën kohë, Irani ka njoftuar rifillimin e bisedimeve me vendet evropiane për programin e tij bërthamor. Takimi do të zhvillohet të premten në Stamboll, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, konfirmoi se në fokus të bisedimeve do të jenë heqja e sanksioneve dhe çështjet që lidhen me programin bërthamor civil të Iranit.
Programi bërthamor i Iranit u kufizua ndjeshëm me marrëveshjen e vitit 2015 (JCPOA), por u trondit pas tërheqjes së SHBA-ve në vitin 2018. Teherani ka rritur gradualisht aktivitetet bërthamore, përfshirë pasurimin e uraniumit në nivele të afërta me ato për armë. Irani këmbëngul se programi i tij ka qëllime vetëm civile, ndërsa vendet perëndimore shprehin shqetësim për rrezikun e një përshkallëzimi të tensioneve./rtsh.al
Kurti për zgjedhjen e presidentit: Do t’i ftoj për takim kry...
Kuvendi i Shqipërisë sot në seancë plenare, diskutime për çë...
Irani kreu mbi 5000 sulme ndaj bazave amerikane në vendet ar...
Sekuestrohen 20 motoçikleta nё Pejё
“Pas Pavarësisë do të jetë lumturia më e mirë e shtetit tonë...
Skandali me njehsorët elektrikë, LDK sot mban konferencë për...