APS: Prokuroria dhe gjykatat ta kryejnë punën për drejtësi dhe mbrojtje jo për t’i plotësuar apetitet apo interesat e dikujt tjetër

16:01 | 21 Korrik 2025
Gita

Organizata Single Parent Association (APS), ka bërë thirrje publike ndaj Policisë së Kosovës, gjykatave dhe prokurorive që t’i trajtojnë më seriozisht rastet e dhunës në familje dhe mos t’i marrin këto raste vetëm si statistika.

Përmes një reagimi në faqen zyrtare në Facebook, APS ka bërë të ditur se thirrja e Policisë së Kosovës për raportim të rasteve të dhunës në familje është e mirë, por këto raste të mos mbesin vetëm raportim.

Tutje në reagim thuhet se personat dhunues vazhdimisht po lirohen nga organet kompetente dhe dhuna ndaj grave nuk po trajtohet si përparësi, raporton Arbresh.info.

“Policia e Kosovës bën thirrje për raportimin e dhunës në familje një veprim i duhur në dukje. Por pyetja mbetet: çfarë ndodh pas raportimit? Edhe pse rastet denoncohen, shumë dhunues vazhdojnë të lirohen. Prokuroria dhe gjykatat, përkundër retorikës publike, në praktikë e kanë fokusin tjetërkund. Dhuna ndaj grave nuk po trajtohet si përparësi. Policët dhe hetuesit NUK duhet ti trajtojnë rastet sipas interesave të tyre apo për favore të ndokujt, ata janë aty për drejtësi, jo për llogari personale”, thuhet në reagim.

Dhuna në familje, sipas APS-së është dramë njerëzore, jo statistikë për raporte.

“Prokuroria dhe gjykatat duhet ta kryejnë punën për drejtësi dhe mbrojtje jo për ti plotësuar apetitet apo interesat e dikujt tjetër. Koha për veprim jo nuk është tani, ka qenë moti”, thuhet në reagim./Arbresh.info/

Reagimi i plotë

Të ngjashme