“Vrasje në tentative”, ndalohen për 48 orë polici dhe tre qytetarë në Ferizaj

11:26 | 21 Korrik 2025
Gita

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se ka ndaluar për 48 orë katër persona, një polic dhe tre qytetarë nën dyshimin për veprat  penale “Vrasja në tentativë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Pjesëmarrja në rrahje”, raporton Arbresh.info.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se me vendim të Prokurorit të Shtetit të Departamentit të Krimeve të Rënda, ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh, katër (4) persona të dyshuar me inicialet: A.S., L.V., Sh.L., dhe L.K., për shkak të dyshimit të veprave penale “Vrasja në tentativë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Pjesëmarrja në rrahje” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Sipas informatave të para, rasti ka ndodhur më 21.07.2025, rreth orës 00:52, në fshatin Doganaj të komunës së Ferizajt, ku është raportuar një rast i gjuajtjes me armë zjarri dhe si pasojë dyshohet se dy persona janë lënduar me armë zjarri.

Dy personat e lënduar pas dhënies së ndihmës së parë nga Emergjenca e Ferizajt janë transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

Ndërsa, në vendin e ngjarjes janë sekuestruar dy vetura të dyshuara, dy armë, 16 gëzhoja dhe një  predhë që dyshohet të jenë shkrepur nga armët e përdoruara në këtë rast.

Prokurori i Shtetit, ka autorizuar Policinë të ndërmarrin të gjitha veprimet hetimore me qëllim të zbardhjes së të gjitha rrethanave të këtij rasti./Arbresh.info/

LEXO EDHE 

Incidenti në Ferizaj ku u lënduan dy persona, arrestohet një polic dhe tre qytetarë