Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) e konsideron krejtësisht të papranueshëm reagimin e Qeverisë në detyrë kundër aktgjykimit të djeshëm të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës me të cilin është vendosur se Udhëzimi Administrativ (MFPT) nr.01/2025 për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale, Sistemeve Fiskale dhe Softuerëve Elektronikë Fiskalë, është i paligjshëm dhe ka vendosur për shfuqizimin e tij.
“Kundërshtimi publik i një aktgjykimi të instancës më të lartë të gjykatave të rregullta nga pushteti ekzekutiv, jo vetëm që përbën ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit, por është shkelje flagrante e parimit të ndarjes së pushteteve, që është themeli i rendit kushtetues në një shtet demokratik, duke cenuar po ashtu integritetin e gjyqësorit dhe duke nxitur mosbesim institucional”, thuhet në reagimin e IKD-së, transmeton Arbresh.info
Për më tepër, IKD e konsideron tejet të rrezikshme qasjen e ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, duke etiketuar gjyqtarët e Gjykatës Supreme me emër dhe mbiemër. Kjo qasje përveç që cenon integritetin e sistemit gjyqësor, përbën rrezik edhe për sigurinë individuale të gjyqtarëve të përmendur.
“Reagimet e Qeverisë në detyrë dhe anëtarëve të tjerë të saj, përbëjnë një presion të panevojshëm ndaj gjyqësorit, që cenon pavarësinë institucionale dhe përpjekjet për ndërtimin e një drejtësie të paanshme. IKD rikujton se besimi në sistemin gjyqësor ndërtohet me respektimin e vendimeve të tij, jo me delegjitimimin publik nga zyrtarët politikë. Aktgjykimi i djeshëm i Gjykatës Supreme krijon një precedent të rëndësishëm për të ndalur ndërhyrjet politike në vendimmarrjen administrative dhe për të vendosur një standard të ri në respektimin e parimit të ndarjes së pushteteve në praktikë”, thuhet më tej në reagim.
IKD vlerëson se Gjykata Supreme me të drejtë ka vendosur se nxjerrja e Udhëzimit Administrativ nga një person që ushtron njëkohësisht detyrën e deputetit dhe të ministrit është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese. Kësisoj, udhëzimi administrativ është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar, pasi është ndërmarrë nga një zyrtar pa mandat të vlefshëm dhe në papajtueshmëri të qartë funksionale
IKD fton të gjithë përfaqësuesit institucionalë që të respektojnë integritetin e vendimeve gjyqësore dhe të përmbahen nga çdo veprim apo deklaratë që synon të ulë autoritetin e gjykatave. Vetëm përmes një gjyqësori të pavarur dhe funksional mund të garantohet siguria juridike dhe sundimi i ligjitt./Arbresh.info
Surprizohen fëmijët e shtrirë në Pediatri, “Super-heronjtë” ...
PDK-ja në Ferizaj publikon listën me kandidatët për deputetë
Qemajl Aliu betohet për mandatin e dytë si kryetar i Shtimes
Imri Ahmeti betohet si kryetar i Lipjanit për mandatin e kat...
Prishtina 01 synon çerekfinalen në Ligën e Kampionëve të fut...
Putin sfidon Trump? I premton Indisë furnizim me naftë, SHBA...