Këshilli i Gardës i Iranit miraton pezullimin e bashkëpunimit me agjencinë bërthamore të OKB-së

13:27 | 26 Qershor 2025
Q L

Mbikëqyrësi kushtetues i Iranit, Këshilli i Gardës, e ka miratuar të enjten vendimin e Parlamentit për ta pezulluar bashkëpunimin e Teheranit me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore (IAEA), pasi objektet bërthamore të vendit u bombarduan gjatë fundjavës në konfliktin 12-ditor me Izraelin.

Për këtë ligj, i cili u miratua një ditë më parë nga ligjvënësit me 221 vota pro dhe asnjë kundër, do të vendosë përfundimisht Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare (SNSC).

SNSC teknikisht drejtohet nga presidenti, por ashtu si të gjitha institucionet kyçe të shtetit, i përgjigjet udhëheqësit suprem, ajatollah Ali Khamenei.

Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, viziton ekspozitën e arritjeve bërthamore të Iranit në Teheran, më 17 prill 2025.
“Plani për ta detyruar Qeverinë ta pezullojë bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore nuk ishte në kundërshtim me ligjin islamik dhe Kushtetutën pas shqyrtimit nga anëtarët e Këshillit të Gardës”, tha zëdhënësi i këshillit, Hadi Tahan Nazif, në një postim në X.

Izraeli kreu sulme të papara ndaj objekteve kyçe bërthamore dhe ushtarake të Iranit, si dhe zonave të banuara, më 13 qershor, në një luftë që mori jetën e shumë civilëve nga të dyja palët para se të përfundonte me një armëpushim të brishtë të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara më 24 qershor.

Më 21 qershor, SHBA-ja i goditi tri objekte bërthamore në Fordo, Natanz dhe Isfahan.

Projektligji parashikon që pezullimi i bashkëpunimit të hiqet vetëm nëse sigurohet që objektet dhe shkencëtarët bërthamorë iranianë janë të mbrojtur dhe që e drejta e Iranit për të pasuruar uranium brenda vendit të garantohet.

Ndër shënjestrat e Izraelit gjatë sulmeve ndaj Iranit ishin edhe shkencëtarë të përfshirë në programin bërthamor iranian.

Para dhe pas: Qendrat bërthamore të Iranit që u sulmuan nga SHBA-ja./rel

Të ngjashme