Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ka paralajmëruar grupin libanez Hezbollah që të jetë i kujdesshëm, duke shtuar se durimi i Izraelit ndaj “terroristëve” që e kërcënojnë është shteruar.
Hezbollahu është shpallur grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara. Ndërkaq, Bashkimi Evropian ka në listën e zezë krahun ushtarak të grupit libanez, por jo edhe partinë politike.
Kreu i Hezbollahut, Naim Qassemi, tha një ditë më parë se grupi libanez do të veprojë si ta vlerësojë, në dritë të asaj që e quajti “agresion brutal izraelito-amerikan” kundër Iranit.
Në një deklaratë tjetër të bërë javën e kaluar, Hezbollahu nuk bëri ndonjë zotim të qartë lidhur me bashkimin me Iranin në konfliktin kundër Izraelit.
Ky grup libanez bën pjesë në të ashtuquajturin “Bosht i Rezistencës” – një rrjet i bashkëpunëtorëve rajonalë të Iranit, ku përfshihen grupe milicie, por edhe Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja.
Hezbollahu dhe Izraeli zhvilluan një luftë njëvjeçare, që përfundoi me një armëpushim të arritur në nëntor të vitit të kaluar. Por, pavarësisht armëpushimit, Izraeli vazhdon të kryejë sulme ndaj caqeve të Hezbollahut në Liban.
Ndryshe, Izraeli nisi sulmet kundër Iranit më 13 qershor, duke rritur frikën për përhapjen e konfliktit në Lindjen e Mesme.
Izraeli ka thënë se fushata ushtarake synon ta parandalojë Iranin që të ketë armë bërthamore. Irani menjëherë është kundërpërgjigjur me sulme raketore dhe me dronë, ndërsa vazhdimisht ka hedhur poshtë pretendimet se synon të ketë armë bërthamore. Teherani ka thënë se programi i tij bërthamor është për qëllime civile./Arbresh.info
Spiropali nga Shkupi: Gjuha shqipe, gjuhë zyrtare në Maqedon...
Raporti i FMN: Shqipëria ka rritje ekonomike të shpejtë
Hamza në Malishevë: Do ta themelojmë Fondin e Papunësisë dhe...
Zgjedhjet e 28 dhjetorit, kryetari i Supremes takon ekspertë...
Aksident trafiku në rrugën Mitrovicë – Leposaviq, e përfshir...
Jashari pret në takim Shefin e Shtabit të Forcave të Armatos...