Ushtria izraelite thotë se ka goditur dhjetëra objektiva në Iran gjatë natës

07:48 | 20 Qershor 2025
E.K

Ushtria izraelite njoftoi të premten se kishte ndërmarrë sulme gjatë natës kundër dhjetëra objektivave ushtarake në Iran, duke përfshirë fabrika për prodhimin e raketave dhe një strukturë kërkimore bërthamore në kryeqytetin Teheran.

“Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë goditur disa objekte industriale për prodhimin e raketave në zonën e Teheranit, përfshirë vendet ku prodhohen komponentë dhe motorë raketash,” thuhet në deklaratën zyrtare.

Sipas IDF-së, këto objekte janë ndërtuar ndër vite dhe përfaqësojnë një qendër të rëndësishme industriale të Ministrisë iraniane të Mbrojtjes.

Në sulm morën pjesë mbi 60 avionë luftarakë të Forcave Ajrore izraelite, sipas po të njëjtit burim.

Ndër objektivat e goditura ishte edhe selia e programit SPND të Iranit – një agjenci për kërkime dhe zhvillim në fushën e mbrojtjes, të cilën SHBA-të e konsiderojnë si pasardhëse të drejtpërdrejtë të programit bërthamor iranian para vitit 2004.

Ushtria izraelite pati deklaruar edhe javën e kaluar se kishte në shënjestër një tjetër objekt të rëndësishëm./CNN