Ambasadorja e Shqipërisë në Izrael, Meri Kumbe, ka folur mbi situatën e rëndë që po kalon vendi pas shkëmbimeve të fundit të sulmeve raketore me Iranin.
Ajo tha se jeta në qytetet izraelite është paralizuar, ndërsa banorët zbatojnë me përpikëri urdhrat për t’u strehuar.
“Në fakt, që në momentin që nisi, e gjithë ambasada jemi në dispozicion. Kanë qenë netë të vështira. Vetëm kur i dëgjon bombardimet janë të vështira, e jo më kur i përjeton. Po zbatojmë në mënyrë strikte të gjitha rregullat. Është e vështirë për ne, por edhe për turistët apo njerëzit që u gjendën këtu për punë, të papërgatitur për këtë situatë”, tha diplomatja shqiptare në një intervistë për A2 CNN.
Sipas saj, jeta e përditshme është ndalur, shkollat dhe zyrat janë mbyllur, ndërsa qytetarët punojnë nga hapësirat e sigurta.
Të vetmet qëndra të hapura mbeten farmacitë dhe supermarketet.
“Jeta është e ngrirë, nuk ka trafik, nuk ka njerëz në rrugë. Dëmtime ka pasur në Tel Aviv dhe qytete të tjera përreth. Ka pasur edhe viktima. Në rast sulmesh, sistemi izraelit dërgon një SMS në telefon për të paralajmëruar qytetarët. Ndërtesat e reja kanë dhoma sigurie të brendshme, ndërsa ato të vjetrat kanë vendstrehime në katet e poshtme. Për ata që gjenden jashtë ka struktura publike mbrojtëse”, shpjegoi Kumbe.
Ajo bëri të ditur se aktualisht në Izrael kanë mbetur të bllokuar 5 qytetarë shqiptarë që ndodheshin atje për punë apo turizëm.
Ndërkohë, komuniteti i shqiptarëve rezidentë nuk ka shprehur dëshirë për t’u larguar.
“Edhe ne si trup diplomatik zbatojmë rregullat e përgjithshme. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët shqiptarë dhe po punojmë për t’i kthyer në Shqipëri. Aeroporti është i mbyllur, gjithashtu dhe rruga detare. Ata që janë gjendur rastësisht këtu na thonë: ‘Aman, na ktheni në shtëpi’. Për ne është kryesore që t’i mbajmë të sigurt. Deri tani, vetëm 5 qytetarë kanë kërkuar ndihmë për t’u kthyer”, theksoi ambasadorja Kumbe.
Sipas saj, 24-orët e fundit kanë qenë më të qeta, me vetëm tre alarme të regjistruara në orët e mëngjesit.
Trafikonin emigrantë me kamionë, dënohen me burg tre shqipta...
Arben Kingji vizitë zyrtare në Rumani, fokus bashkëpunimi në...
Haxhiu shpreh keqardhje për ekspozitën, thotë se vendimi u m...
Barcelona pritet të marrë një kompensim të madh financiar ng...
Aksident trafiku në Lupç të Podujevës, dy automjete përplase...
Papa Leoni viziton Monakon, bën thirrje kundër pabarazisë gl...