Tirana pret nesër Samitin e SEECP, Policia merr masa sigurie dhe vendos kufizime qarkullimi në qytet

21:25 | 15 Qershor 2025
E.G

Tirana do të jetë sërish në qendër të vëmendjes ndërkombëtare këtë të hënë, ku do të zhvillohet Samiti i Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), një forum politik kyç që synon forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit.

Ky ministerial shënon edhe përmbylljen e presidencës njëvjeçare shqiptare në krye të SEECP-së, nën moton “Formësojmë të ardhmen tonë evropiane”.

SEECP përfshin 13 vende pjesëmarrëse: Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Bullgarinë, Kroacinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Moldavinë, Malin e Zi, Rumaninë, Serbinë, Slloveninë, Kosovën dhe Turqinë.

Samiti i 16 qershorit pritet të mbledhë në Tiranë krerët e shteteve dhe përfaqësues të lartë diplomatikë të këtyre vendeve.

Në funksion të zhvillimit të këtij aktiviteti Policia e Tiranës ka njoftuar një sërë masash sigurie dhe kufizimesh të përkohshme në qarkullimin rrugor.

Në ardhje të delegacioneve, do të ketë ndërprerje të qarkullimit në këto akse:

Aeroporti i Rinasit; Mbikalimi i Kasharit; Autostrada Durrës–Tiranë ; Unaza e Re ;Rrethrrotullimi i Saukut; Rruga e Elbasanit ; Rruga “George W. Bush” ; Rruga “Urani Pano” ;Rruga “Dervish Hima” ; Në largim, delegacionet do të ndjekin itinerarin: Rruga “George W. Bush” ; Rruga e Elbasanit ;Rrethrrotullimi i Saukut; Unaza e Re ; Sheshi “Shqiponja” ; Autostrada Tiranë–Durrës ; Mbikalimi i Kasharit ;Aeroporti i Rinasit.

Gjatë zhvillimit të Samitit do të ketë kufizime shtesë në rrugën “Ludovik Shllaku” dhe në Rrugën e Dibrës, ku përkohësisht do të ndalohet qarkullimi i automjeteve, parkimi i mjeteve dhe lëvizja e këmbësorëve.

Ndërsa orari i kufizimeve do të përcaktohet në varësi të mbërritjes dhe lëvizjes së delegacioneve në Aeroportin e Rinasit. Policia e Tiranës u bën thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve për mirëkuptim dhe bashkëpunim, duke theksuar se këto masa janë të domosdoshme për garantimin e sigurisë./rtsh.al/

Të ngjashme