Luis Diaz në mesin e katër yjeve që duan transferimin me çdo kusht tek Barcelona këtë verë

18:43 | 15 Qershor 2025
E.G

Barcelona ka ndërmend të transferojë një anësor të majtë për sezonin e ardhshëm, i cili do të konkurrojë me Raphinhan dhe Ferran Torres në atë pozicion.

Klubi tashmë ka përpiluar një listë të shkurtër me emrat e dëshiruar, edhe pse marrëveshjet nuk do të jenë të lehta për shkak të problemeve financiare.

Megjithatë, katalanasit kanë një avantazh të rëndësishëm – të gjithë objektivat e tyre e kanë shprehur dëshirën për t’u bashkuar me Barcelonën.

Në javët e fundit, Barcelona ka identifikuar katër kandidatë kryesorë: Luis Díaz, Nico Williams, Marcus Rashford dhe Ivan Perisic.

Kolumbiani Luis Díaz, për të cilin një marrëveshje mund të jetë e mundur pavarësisht hezitimit fillestar të Liverpoolit, mbetet objektivi kryesor i klubit. Megjithatë, kostoja e transferimit mund të rezultojë përtej mundësive financiare të Barçës.

 

Për këtë arsye, janë vendosur edhe opsione rezervë si Nico Williams, i cili këtë javë është afruar më shumë me klubin, Marcus Rashford dhe Ivan Perisic.

Çfarëdo vendimi që të marrë Barcelona, ata e kanë vullnetin e lojtarëve në anën e tyre.

Sipas Mundo Deportivo, të katër kandidatët – Díaz, Williams, Rashford dhe Perisic, e kanë bërë të qartë se do të donin shumë të veshin fanellën blaugrana këtë verë.

 

Madje, të gjithë janë të gatshëm t’i japin përparësi Barcelonës përpara çdo oferte tjetër gjatë merkatos së ardhshme.

Ndërkohë, klubi ka arritur tashmë marrëveshjen me portierin e Espanyolit, Joan Garcia, që pritet të zyrtarizohet në ditët në vijim.

Megjithëse ekziston një dëshirë e qartë për të afruar një lojtar ofensiv, është e sigurt se më parë do të nevojiten shitje lojtarësh për të siguruar fondet e domosdoshme./Telegrafi/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme

Foto lajm