LVV: 717 milionë euro të keqpërdorura në Komunën e Prishtinës – një aktakuzë institucionale ndaj qeverisjes lokale

12:58 | 12 Qershor 2025
E.G

Asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, Violeta Salihu, ka reaguar pas publikimit të raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për vitin 2024, duke e cilësuar situatën financiare në komunë si alarmante.

Sipas saj, titulli i këtij raporti do të duhej të ishte: “717 milionë euro të keqpërdorura”, duke pasqyruar përmasat e menaxhimit të dobët nga ana e udhëheqjes komunale, shkruan Arbresh.info.

Raporti i ZKA-së jep një Opinion të kualifikuar, që nënkupton se pasqyrat financiare të paraqitura nga Komuna e Prishtinës nuk janë të sakta dhe as të besueshme.

Kjo, sipas Salihut, përbën jo vetëm një çështje teknike, por një aktakuzë morale dhe institucionale ndaj administratës së drejtuar nga kryetari Përparim Rama dhe LDK.

Salihu thekson se raporti përmban shkelje të shumta ligjore dhe financiare, për të cilat grupi i asamblistëve të LVV-së ka ngritur shqetësime të vazhdueshme, duke i kundërshtuar haptas vendimet që bien ndesh me ligjin dhe interesin publik.

“Qytetarët kanë të drejtë ta dinë të vërtetën – se si dhe nga kush po shpërdoren mjetet publike në kryeqytet”, ka deklaruar ajo, duke akuzuar qeverisjen lokale për mungesë transparence, llogaridhënie dhe përfshirje të kulturës së abuzimit në administrimin e resurseve publike.

Salihu e përmbylli deklaratën e saj me një thirrje për reflektim dhe veprim institucional, për të kthyer besimin e qytetarëve dhe për të rikthyer standardet minimale të përgjegjësisë në qeverisje. /Arbresh.info/