Arrestimi i ish-policit Arbnor Spahiut, Osmani: Praktikë e vjetër shoviniste e Serbisë

16:07 | 11 Qershor 2025
E.H

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka dënuar fuqishëm arrestimet e qytetarëve kosovarë nga autoritetet serbe gjatë kalimit të kufirit, duke i cilësuar këto veprime si arbitrare dhe shoviniste, të ngjashme me praktikat e viteve ’90.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani tha se Serbia vazhdon të mos respektojë të drejtat e njeriut, konventat ndërkombëtare dhe standardet evropiane, duke mbajtur një mendësi të ngjashme me diktaturat e së kaluarës.

Ndërsa për arrestimin e ish-policit Arbnor Spahiu, Osmani tha se është bazuar mbi akuza të rreme dhe nuk ka lidhje me sundimin e ligjit.

“Ky akt është një vazhdimësi e praktikave të vjetra të një regjimi që refuzon të përballet me të kaluarën dhe keqpërdor ligjin për të kërcënuar qytetarët tanë,” tha Osmani.

Presidentja i bëri thirrje Serbisë që të ndalë menjëherë fushatën e arrestimeve politike kundër qytetarëve të Kosovës dhe të mbajë përgjegjësi ndërkombëtare për veprimet e saj arbitrare. Sipas saj, këto veprime pengojnë lirinë e lëvizjes dhe rrezikojnë procesin e dialogut dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

“Gjatë ditëve të fundit, përveç kontakteve të vazhdueshme me Zyrën Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd, kemi kërkuar edhe reagimin e fuqishëm të shteteve të Quint-it dhe Misionit të BE-së, në mënyrë që këto shkelje të të drejtave të njeriut nga ana e Serbisë të mos injorohen”, ka shkruar Osmani.

Në fund të deklaratës, presidentja Osmani ka apeluar tek qytetarët që të shmangin kalimin nëpër Serbi, duke qenë të vetëdijshëm për rreziqet dhe praktikat arbitrare të arrestimeve pa arsye./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale