Sot, për dy orë, hyrjet kryesore në Prishtinë do të bllokohen nga kamionë të bizneseve të mëdha, të cilat po kundërshtojnë daljen në tregun e lirë të energjisë elektrike. Bllokimi do të zgjasë nga ora 10:00 deri në 12:00.
Përfaqësues të komunitetit të biznesit deklaruan se ky ndryshim pritet të ketë pasoja të rënda për ekonominë, duke ndikuar negativisht si në bizneset e mëdha ashtu edhe te konsumatorët. Ata kërkojnë shtyrjen e afatit për hyrjen në fuqi të këtij vendimi dhe kohë të mjaftueshme për tranzicion.
“Nuk jemi kundër tregut të lirë, por kërkojmë kohë për t’u përgatitur për këtë kalim. Sot do të ketë protestë në katër lokacione hyrëse në Prishtinë: në rrugën e Veternikut, rrethrrotullimin nga Fushë-Kosova, rrethin për Mitrovicë dhe rrugën nga Podujeva. I kemi dhënë hapësirë dialogut”, deklaroi Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.
Nga ana tjetër, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Skënder Krasniqi, theksoi se vendimi për liberalizimin e tregut është marrë pa analizë të thellë dhe rrezikon të sjellë rritje të çmimeve.
“Ne kemi përdorur të gjitha format e komunikimit. Dje kemi kërkuar nga qeveria që të ndalojë zbatimin e këtij vendimi”, tha ai.
Ndërkohë, Agim Shahini nga Aleanca Kosovare e Bizneseve paralajmëroi vazhdimin e protestave nëse vendimi nuk pezullohet.
“Nuk është dëshira jonë të bllokojmë rrugët me mauna, por ky është një mesazh i qartë për ZRRE-në që të tërheqë vendimin”, u shpreh Shahini.
Komuna e Prishtinës ka njoftuar qytetarët për protestën dhe ka bërë thirrje për planifikim alternativ të lëvizjeve gjatë orëve të bllokimit.
“Lusim qytetarët për mirëkuptim dhe sugjerojmë të planifikojnë lëvizjet në mënyrë alternative gjatë kohës së protestës. Institucionet e Kryeqytetit janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet përkatëse për të garantuar sigurinë publike dhe menaxhimin efikas të situatës”, thuhet në njoftimin zyrtar të Komunës.
Protesta organizohet nga Oda Ekonomike e Kosovës në bashkëpunim me disa nga bizneset më të mëdha të vendit. Ajo vjen si reagim ndaj vendimit për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, i cili pritet të hyjë në fuqi më 1 qershor.
Zonat që do të preken nga bllokimi janë:
Hyrja nga Veterniku dhe Gjilani
Hyrja nga Fushë-Kosova dhe Mitrovica
Hyrja nga Podujeva (lagjja Vranjevc)
Rregullohet defekti në Vlorë, nis furnizimi me ujë në një pj...
Rezultatet preliminare – numërohen 100% e votave
Numërohen 25% e votave të kandidatëve për deputetë, prinë LV...
Moti sot në Shqipëri
Vazhdon numërimi i votave të kandidatëve për deputetë
Kuvendi i Komunës së Prishtinës sot me seancë të jashtëzakon...