Abdixhiku: Fushata në Prishtinë paska nisur me mbeturina, nuk e ndaloni LDK-në e Përparimin kështu

20:30 | 18 Maj 2025
E.G

Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar për situatën e krijuar me grumbullimin e mbeturinave në kryeqytet, duke e cilësuar këtë si një sabotazh të organizuar në kuadër të një fushate politike të ulët.

Me anë të një postimi në Facebok, Abdixhiku shkruan se “fushata në Prishtinë paska nisur, me mbeturina”, duke e quajtur këtë një përpjekje të lodhur dhe të pavlerë për të dëmtuar imazhin e Komunës.

“Me sabotazhë në njërën anë e me mendimtarë parapolitik gishtvënës në anën tjetër – krejt në sinkron. Një përpjekje e thatë, e ulët, që ngjall vetëm keqardhje”, tha ai.

Sipas tij, sabotimi ka ardhur nga vetë ata që kontrollojnë Ndërmarrjen “Pastrimi”, duke e lënë me qëllim qytetin të mbuluar nga mbeturinat. Ai akuzon se kjo ndërmarrje, ndonëse formalisht komunale, nuk është nën menaxhimin e Komunës, por po përdoret politikisht për të krijuar krizë artificiale.

“Bërllog plot, por ndërmarrja refuzon të punojë. E sa për të mos mjaftuar, mblidhen sërish në asamble, sërish bllok, për të ndaluar – besoni ose jo – angazhimin e dikujt tjetër për pastrim”, shkruan Abdixhiku.

Megjithatë, ai njofton se Komuna ka ndërmarrë veprime të menjëhershme dhe ka angazhuar kompani të tjera për pastrimin e qytetit. Ai garanton se për një javë Prishtina do të pastrohet tërësisht.

“Nuk e ndaloni LDK-në e Përparimin kështu. Prishtina ecë. Sabotazhi juaj zgjat vetëm pak ditë”, ka deklaruar kryetari i LDK-së, duke shtuar se qytetarët janë të vetëdijshëm për këtë “politikë të vjetër e primitive”.

“Prishtina sheh. Këtu sabotazhi kriminal moti ka vdekë”, tha mes të tjerash kreu i LDK-së./Arbresh.info/