Samiti i Komunitetit Politik- Liderët europianë mbërrijnë në Tiranë, priten nga Rama para “Shtëpisë së Europës”

12:46 | 16 Maj 2025
Q L

Tirana mikpret sot Samitin e Komunitetit Europian, ndërsa liderët e Europës kanë mbërritur në Tiranë. Ata u pritën nga kryeministri Edi Rama para “Shtëpisë së Europës”, në Sheshin Skënderbej.

Në këtë Samit të 6-të të Komunitetit Politik Evropian marrin pjesë udhëheqësit e 47 vendeve të botës (BE-së, NATO-s dhe Mbretëria e Bashkuar), duke e kthyer kështu Shqipërinë në kryeqendrën e Evropës. Samiti do të bashkëdrejtohet nga Kryeministri Rama dhe Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa.

Agjenda e Samitit ka parashikuar 3 tryeza të rrumbullakëta, fokusi i të cilave do të jetë rritja e konkurrencës dhe sigurisë evropiane përmes inovacionit dhe qëndrueshmërisë, si dhe “Evropa e Re në një botë të re: unitet – bashkëpunim – veprim i përbashkët”. Udhëheqësit do të mblidhen fillimisht në një seancë plenare kushtuar sigurisë dhe një vizioni të përbashkët për të ardhmen e Evropës.

Prezent në Tiranë do të jetë edhe presidenti francez Emmanuel Macon i cili jo vetëm që do të jetë pjesë e punimeve të Samitit të Komunitetit Politik Europian, por do të zhvillojë edhe një një vizitë dypalëshe në Shqipëri të shtunën (17 maj), një vit e gjysmë pas vizitës së tetorit 2023, e para e bërë ndonjëherë nga një president francez në vend.

Sipas agjendës, zhvillimi i fotos familjare do të ndiqet nga seanca e parë plenare, dhe një seancë e dytë është planifikuar në orën 17:30. Në orën 18:30 do të mbahet edhe konferenca e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama dhe homologen daneze, Mette Frederiksen, si mikpritësja e radhës e Samitit.

Presidenti francez Macron mbërrin në Tiranë me bashkëshorten e tij

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka mbërritur në Tiranë, ku do të marrë pjesë në punimet e Samitit të Komunitetit Politik Evropian. Presidenti Macron u prit në Rinas mesditën e kësaj të premteje, nga zv.kryeministrja Belinda Balluku dhe ministrat Pirro Vengu dhe Mirela Kumbaro. Ai do i bashkohet 46 liderëve të tjerë nga bota në “Shtëpinë e Europës”.

Erdogan mbërrin në Tiranë për samitin, pritet nga Rama

Në samitin që po mbahet në Tiranë ka mbërritur edhe presidenti turk Reccep Tayip Erdogan, i cili është pritur nga kryeministri Edi Rama.

Erdogan ka shprehur për mediat se ka ardhur “të takojë vëllain shqiptar”, teksa do të marrë pjesë në samitin e Komunitetit Politik Evropian që po zhvillohet në Tiranë.

Meloni: Marrëveshja për emigrantët në rrugën e duhur. Armëpushim i pakushtëzuar për Ukrainë-Rusi

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni ka mbërritur në Tiranë për t’iu bashkuar Samitit të Komunitetit Politik Europian.

Në një fjalë të shkurtër për media, Meloni vuri theksin te armëpushimi i pakushtëzuar mes Rusisë e Ukrainës, dhe te marrëveshja serioze në të cilën garantohet siguri ndaj Kievit.

Kryeministrja italiane u pyet edhe për marrëveshjen e emigrantëve, duke thënë se puna vijon normalisht çka sipas saj, është tregues se gjithçka është në rrugën e duhur.

Kryeministri lituanez: Rusia nuk po tregon seriozitet në negociatat për paqe me Ukrainën

Kryeministri lituanez Paluckas Gintautas deklaroi në prag të samitit të Komunitetit Politik Europian që po mbahet në Tiranë se Rusia nuk po tregon seriozitet në negociatat për paqe me palën ukrainase, ndaj duhet rritur presioni ndaj Kremlinit. Gintautas iu referua takimit të së premtes në Stamboll dhe faktit që Moska zyrtare dërgoi një delegacion të nivelit të ulët për bisedimet dypalëshe. Kryeministri lituanez i dërgoi një mesazh edhe presidentit amerikan Donald Trump.

“Unë shpresoj që administrata e re e Shteteve të Bashkuara do të kthehet në realitet dhe të kuptojë se Rusia dhe Putini nuk ka për t’u futur në asnjë lloj negociate,” u shpreh Gintautas për gazetarët para fillimit të samitit.

Von der Leyen: Do të rrisim trysninë ndaj Rusisë, po punojmë për një paketë sanksionesh

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen ka theksuar se BE do të rrisë trysninë ndaj Rusisë. E pranishme në Tiranë, në kuadër të Samitit të Komunitetit Europian, Von der Leyen tha se Rusia nuk po tregohet serioze me bisedimet e paqes, duke iu referuar takimit të planifikuar në Stamboll mes Moskës dhe Kievit. Presidentja e Komisionit Europian tha se BE po përgatitet edhe një paketë sanksionesh, teksa theksoi se Unioni nuk do të tërhiqet deri në arritjen e paqes.

Starmer nga Tirana: Putin nuk e do paqen, aleatët të jenë të unifikuar në përgjigjen ndaj Rusisë

Kryeministri britanik, Keir Starmer, tha se BE dhe aleatët duhet të jenë të bashkuar lidhur me sanksionet ndaj Rusisë në mënyrë që të arrihet një armëpushim.

Nga Tirana ku po mbahet Samiti i Komunitetit Politik Evropian, Starmer tha se Putin nuk do paqe dhe se aleatët duhet të jenë të bashkuar, në të kundërt, shtoi ai, nuk do ketë paqe.

“Putini nuk është serioz për paqen. Është e rëndësishme që ne të kemi unitet absolut me aleatët tanë dhe do e diskutojmë dhe sot. Nëse nuk veprojmë së bashku për sanksionet nuk do ketë armëpushim. Edhe sot do të punojmë me kolegët dhe të tregojmë se jemi të bashkuar për t’iu përgjigjur Rusisë, ku në diskutime do të jetë edhe Zelensky”, tha Starmer.

Starmer ndodhet prej ditës së djeshme në Tiranë, pasi zhvilloi takime me krerët e shtetit, si dhe u firmosën marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Osmani: Bllokadë totale nga BE për Kosovën, po i hapen dyert atyre që shkojnë në Moskë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbërritur në Tiranë për t’iu bashkuar punimeve të Samitit të Komunitetit Politik Europian. Pas shtrëngimit të duarve e fotos me kryeministrin Edi Rama, Osmani ka kritikuar ashpër Bashkimin Evropian për të cilin u shpreh se nuk vlerëson as punën dhe as reformat e ndërmarra nga Kosova. Ajo u shpreh se ndonëse Kosova është e linjëzuar me politikën e jashtme dhe atë të sigurisë me Bashkimin Evropian, sërish po përkrahen vende të cilat shkojnë në Moskë. Ky, theksoi Osmani, është mesazh i keq për rajonin.

“Jemi të linjëzuar me politikën e jashtme e të sigurisë në BE, por ka bllokadë totale nga ana e BE, nuk vlerësohet puna jonë, reformat tona, nuk vlerësohet fakti që jemi 100% me politikat e tyre, qoftë këtu edhe sanksionet ndaj Rusisë”, tha Osmani.

Samiti Politik- Vuçiq: Do kemi sfida ekonomike, besoj do i kalojmë