101-vjeçarja nuk lejohet të votojë, emri i saj nuk gjendet në listën e votuesve

16:58 | 11 Maj 2025
E.H

Një 101-vjeçare nga qyteti i Fierit nuk është lejuar të votojë të dielën, pasi nuk ka gjetur emrin në listë.

Djali i Fadile Nuhajt, Isufi, e ka cilësuar të pakuptimtë një situatë të tillë, pasi votuesja prej vitesh e ka ushtruar rregullisht të drejtën e saj.

“Më kanë hequr nga lista nënën 101 vjeçe. Vajta të votoj me nënën që në 7:00 të mëngjesit. Unë e kisha emrin, ajo s’e kishte. Një jetë të tërë duke votuar në atë qendër, te shkolla ‘Naim Frashëri’. Tani i kam ngritur duart lart, se s’e di ku ta zgjidh këtë punë që t’i bëj qejfin nënës,” u shpreh Nuhaj.

Anëtarët e qendrës së votimit kanë sqaruar të birin e 101-vjeçares se emri i nënës së tij nuk figuronte në listën e zgjedhësve për shkak të moshës së saj.

Një përfaqësuese e KZAZ-së në Fier ka kërkuar që nënës 101-vjeçare Fadile t’i mundësohet realizimi i së drejtës së saj për të votuar vetëm me vendim të gjykatës, me shpresën se gjykata do të marrë vendimin para orës 19:00, kur mbyllet procesi i votimit./RTSH

Shpërndaje në rrjete sociale