Murati: Seanca do të vazhdojë aty ku ka mbetur, me votimin e Komisionit për votim të fshehtë

09:41 | 9 Maj 2025
E.K

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, pak para vazhdimit të seancës së 13-të konstituive të Kuvendit të Kosovës, tha se seanca do të vazhdojë aty ku ka mbetur – me votimin e Komisionit për votim të fshehtë.

Ai shprehu shpresën që opozita të ketë reflektuar dhe të kontribuojë në zhbllokimin e procesit parlamentar dhe funksionalizimin e institucioneve.

Sipas tij, pushteti ka ofruar propozime të ndryshme për të tejkaluar situatën, por mungesa e vullnetit nga ana e opozitës ka penguar përparimin.

“Shpresoj dhe uroj si zakonisht që opozita të ketë reflektuar që të zhbllokohet procesi dhe të ecim përpara në zhbllokimin e institucioneve. Ne kemi bërë çmos që ky proces që nga fillimi i seancës konstituive të ofrojë mundësi dhe ide për zgjidhje që të dalim nga ky ngërç, por e kemi parë që reflektimi ka munguar. Tani ka një bllokadë dhe barrikadim te opozita dhe insiston që të ndryshohet kandidati. Pra, që të mos respektohet e drejta kushtetuese e VV-së, në këtë rast si pari fituese e zgjedhjeve. Seanca do të vazhdoj aty ku ka mbetur, aty ku kemi mbetur është mungesa e kuorumit për vendimmarrje për të votuar Komisionin për votim të fshehtë”, tha ai.

Shpërndaje në rrjete sociale