Kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 620-vjetorin e lindjes së heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.
Me anë të një postimi në Facebook, Kurti thekson rolin udhëheqës të Skënderbeut në kryengritjen kundër Perandorisë Osmane për më shumë se 25 vjet, duke e cilësuar atë si shembull të rezistencës për liri, atdhe dhe bashkim politik, shkruan Arbresh.info.
Kreu i VV-së tha se Skënderbeu është shqiptari për të cilin është shkruar më së shumti në histori dhe njëri nga personalitetet historike në përgjithësi për të cilin janë shkruar më së shumti libra.
Ai shtoi se Gjergj Kastrioti ishte hero për së gjalli dhe do të mbetet heroi kombëtar i shqiptarëve në të gjitha kohërat.
“Gjergj Kastrioti ka lindur para 620 vitesh, me shumë gjasë në një ditë sikur sot, në Ditën e Shën Gjergjit, siç na bën të besojmë emri i tij, prej nga mund të jetë pagëzuar “Gjergj”, sipas traditave mesjetare të krishtera. Me origjinë fisnike nga familja e Kastriotëve, Gjergj Kastrioti do të bëhej një nga figurat më të njohura ushtarake dhe politike në Evropë, në shekullin e fundit të epokës së mesjetës.”, ka shkruar ai.
“Për një çerekshekulli, ai i priu kryengritjes dhe rezistencës kundërosmane të arbërve, duke dhënë shembull se si luftohet për liri, atdhe dhe bashkim politik. Ndër shekuj, emri i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, u bë referencë për strategji ushtarake, ideale politike, guxim në veprime dhe konsistencë në rezistencë. Në këtë ditëlindje të tij, Skënderbeun po e kujtojmë me këtë portret të punuar në vitin 1533. Kjo gravurë është realizuar nga artisti gjerman Hans Weiditz, për të ilustruar botimin e parë në gjermanisht të biografisë për Skënderbeun që e shkroi Marin Barleti.”, ka shkruar mes të tjerash ai.
“Skënderbeu është shqiptari për të cilin është shkruar më së shumti në histori dhe njëri nga personalitetet historike në përgjithësi për të cilin janë shkruar më së shumti libra. Në historinë e kombformimit te shqiptarët, figura e Skënderbeut është një nga shtyllat mbi të cilat është ngritur dhe qëndron kombi shqiptar. Gjergj Kastrioti ishte hero për së gjalli dhe do të mbetet heroi kombëtar i shqiptarëve në të gjitha kohërat. U kujtoftë dhe u nderoftë me lavdi Skënderbeu ndër breza!”, tha ai./Arbresh.info/
Mungesë banesash në Zvicër: Një apartament 60-vjeçar ofrohet...
Varka me 20 emigrantë fundoset pranë bregdetit jugor të Kret...
Serbi: Familjet shqiptare kërkojnë drejtësi për të zhdukurit
Nuk u ndalua në pikën e kontrollit, policia e Cyrihut arrest...
Tragjedia në Zakynthos të Greqisë ku qeni mbyti 2 vjeçarin s...
“Mos më kërcëno!” – Londrimi i drejtohet Labinotit