Murati: Aktgjykimi i Kushtetueses i vitit 2014 lejon votimin e kryeparlamentarit edhe përmes votës së fshehtë

17:17 | 1 Maj 2025
E.H

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka thënë se votimi i fshehtë në seancën konstituive të Kuvendit nuk është anti-kushtetuese.

Me anë të një postimi në Facebook, Murati tha se në Aktgjykimin e vitit 2014 për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, Gjykata Kushtetuese në paragrafin 124. ka sqaruar që ndër mënyrat e pranueshme për votim, janë vota e hapur, vota e fshehtë, apo çfarëdo mënyre tjetër, përcjell Arbresh.info.

“Por ç’e do Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, kur disa organizata të “shoqërisë civile”, në sinkron me partitë që po bllokojnë konstituimin e Kuvendit, sot e shpallën si anti-kushtetuese këtë formë të votimit. Edhe më interesant është paragrafi 125. ku thuhet: “Gjykata konsideron se mënyrat e ndryshme të votimit (hapur, fshehtë, etj) kanë për qëllim të sigurojnë SHPREHJEN DEMOKRATIKE DHE TË PAVARUR TË VULLNETIT TË DEPUTETËVE dhe të sigurojnë të drejtat e deputetëve në mënyrë që ata t’u përmbahen obligimeve të tyre.””, ka shkruar Murati.

“Pra, sipas Aktgjykimit të GJK, Kushtetuta njeh mundësi të ndryshme të votimit dhe u takon deputetëve që të zgjedhin mënyrën më të mirë për të zhbllokuar procesin. Por edhe kësaj radhe, u pa përfundimisht se kush po e bllokon konstituimin e Kuvendit. U pa edhe që partitë opozitare nuk u besojnë deputetëve të tyre, meqë shfaqën hezitim të merrnin pjesë në një proces ku vullneti i lirë i deputetëve do të mund të ushtrohej pa presion”, ka shkruar tutje Murati./Arbresh.info

LEXO EDHE:

S’ka konstituim të Kuvendit as në përpjekjen e nëntë, kundërshtohet votimi i fshehtë

Shpërndaje në rrjete sociale