Kushtetuesja i dha dritë të gjelbër Ligjit për KPK-në, Haxhiu: Fitore për reformën

18:49 | 23 Prill 2025
E.G

Ministrja në dorëheqje e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar pasi Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë Qeverisë për Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Ajo tha se angazhimi dhe përpjekja për një reformë rrënjësore në sistemin prokurorial, më në fund po merr drejtimin e merituar, shkruan Arbresh.info.

Haxhiu e vlerësoi këtë si një fitore e madhe për reformën dhe për tërë sistemin e drejtësisë, shkruan Arbresh.info.

“Pas një përpjekjeje e rruge tejet të gjatë, të ballafaquar me jo pak sfida e pengesa, me bojkotime e vonesa, sot Gjykata Kushtetuese ka njoftuar dhe ka validuar ndryshimet në Ligjin për Këshillin Prokurorial. Kjo është një fitore e madhe, një fitore për reformën dhe për tërë sistemin e drejtësisë.”

“Rrjedhimisht KPK nuk do të funksionojë tutje bazuar në interesat grupore, politike e klanore, dhe nuk do ta ketë përbërjen korporatiste dhe të pabalancuar e të dominuar pothuajse 100% me prokurorë, e të cilat, vetëm dëme të pa-riparusheme i sollën vet sistemit.”, tha Haxhiu.

Tutje, Haxhiu tha se KPK do të funksionojë e ri-organizuar, me përbërje sipas standardeve më të mira ndërkombëtare dhe profesionale, por gjithashtu, me kriteret profesionale të përbërjes e llogaridhënies.

“Ndryshimet e tilla, përveçse do ta eliminojnë këtë lloj të funksionimit, te keqmenaxhimit e korporatizmit në KPK, ato gjithashtu sistemit do t’i sjellin profesionalizëm e integritet, transparencë dhe llogaridhënie, me synimin e rritjes së efikasitetit profesional, rritjes së integritetit dhe besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Faleminderit të gjithë atyre që kanë kontribuar në këtë proces. Mirënjohëse për angazhimin profesional.”, u shpreh ministrja Haxhiu./Arbresh.info/