Nis seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës

12:34 | 17 Prill 2025
E.G

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka nisur.

Kjo seancë është vazhdim i seamcës së 15 prillit e cila u ndërpre pasi që nuk u votua raporti i Komisionit.

Seanca edhe sot po udhëhiqet nga deputeti më i vjetër, Avni Dehari dhe deputetja më e re, Sala Jashari.

Partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë, PDK, LDK dhe AAK, kontestuan dorëheqjen e anëtarëve të kabinetit qeverisës, që janë zgjedhur deputetë, të dorëzuar në Kuvend më 15 prill.

Ata thanë se dorëheqja zyrtare është dashur të bëhet më herët.

Kështu, ata votuan kundër raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve.

LVV-ja dhe Albin Kurti i akuzuan këto parti dhe Listën Serbe – që abstenoi – për shkaktim të një krize. Kurti tha se Qeveria e tij është në dorëheqje që nga 23 marsi, kur ekzekutivi përmbylli mandatin e plotë katërvjeçar.

Megjithatë, njohësit e ligjeve thonë se ka paqartësi se kur duhet të jepet dorëheqje nga anëtarët e Qeverisë. Ligji për Qeverinë, ndërkaq, kërkon që anëtarët e ekzekutivit, që zgjidhen deputetë, duhet të japin dorëheqje një ditë para certifikimit të rezultatit zgjedhor, pra në këtë rast, para 27 marsit./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme