Gërvalla takoi homologun e saj danez, theksoi nevojën për të përmbyllur anëtarësimin e Kosovës në KiE

18:12 | 14 Prill 2025
E.H

Ministrja e Jashtme në detyrë, Donika Gërvalla është takuar sot me homologun e saj danez, Lars Løkke Rasmussen.

Në prag të marrjes së Presidencës së Këshillit të BE-së nga Danimarka në korrik 2025, Gërvalla ka shprehur bindjen se roli i Danimarkës për të zhbllokuar procesin e statusit të kandidatit për Kosovën është i domosdoshëm, përcjell Arbresh.info.

Postimi i plotë:

Takimi me Ministrin e Jashtëm të Danimarkës, Lars Løkke Rasmussen, shërbeu si konfirmim i një miqësie të qëndrueshme dhe një partneriteti me vlerë. E njoftova Ministrin Rasmussen se integrimi evropian i Kosovës nuk mund të mbetet peng i status quo-së.

Në prag të marrjes së Presidencës së Këshillit të BE-së nga Danimarka në korrik 2025, shpreha bindjen se roli i saj është i domosdoshëm për të zhbllokuar procesin e statusit të kandidatit për Kosovën. Republika e Kosovës i ka përmbushur detyrimet dhe është e gatshme të ecë përpara, me bindjen se roli aktiv i miqve tanë mund të bëjë dallimin për ta zhbllokuar këtë proces.

Po ashtu, theksova se tani është momenti i duhur për të përmbyllur anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Kjo nuk është vetëm një çështje politike, por një angazhim për vlera të përbashkëta, ku Kosova është e gatshme të japë kontributin e saj si pjesë e familjes evropiane.

Marrëdhëniet tona me Danimarkën janë të shkëlqyera dhe mbeten një bazë e fortë për të thelluar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët. Republika e Kosovës është e përkushtuar të ndërtojë ura të forta me aleatë që ndajnë vlerat tona dhe besojnë në të ardhmen tonë evropiane./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale