Ramush Haradinaj i zhgënjyer nga NISMA: Një ndarje mjaft e turpshme

11:31 | 14 Prill 2025
Gita

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, tha se partia e tij do angazhohet për të formuar qeverinë e opozitës, nëse pozita dështon ta bëj një gjë të tillë.

“Aleanca angazhohet dhe punon që Qeverinë ta formojë opozita, në rast të pamundësisë, ose mos krijimit të shumicës nga pozita, angazhohemi ta krijojmë qeverinë”, tha Haradinaj, raporton Arbresh.info.

Kur u pyet për raportin me Kryetarin e NISMA-s Socialdemokrate, Haradinaj tregoi se ka hatër-mbetje dhe se me të nuk ka kontaktuar që nga intervista e fundit e Fatmir Limajt, kur u shpreh i gatshëm ta votojë Qeverinë Kurti.

“S’kam komunikim nga intervista e fundit e famshme e zotit Limajt. Ka qenë shumë e vështirë pra krijimi i shumicës nga opozita vetvetiu, pozicionimi i hershëm i tij e ka bë edhe më të vështirë, ka qenë i parakohshëm. Nëse Nisma dhe Limaj mbështesin pushtetin, kuptohet që ata ndahen nga ne dhe është ndarje mjaft e turpshme sepse ne kemi kërku votë për ndryshim dhe sjellja e tyre është mjaft e turpshme”, tha Haradinaj.

Ai tha se ia ka dërguar një “shkresë” Limajt ku ia ka shprehur “shqetësimin për pozicionimin e hershëm, të parakohshëm e të befasishëm që e ka vështirësuar pastaj krijimin e shumicës nga opozita”.

“Me VV i kemi një kërkesë, ata me dalë në opozitë. Për opozitën asnjë kusht”, tha ai kur u pyet nëse ka ndonjë kusht për me hy në koalicion./Arbresh.info/

Të ngjashme