Me ftesë të Erdoganit, Osmani merr pjesë në Forumin Diplomatik të Antalisë

09:05 | 11 Prill 2025
E.K

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar drejt Turqisë me ftesë të Presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, për të marrë pjesë në edicionin e katërt të Forumit Diplomatik të Antalisë.

Ky forum i nivelit të lartë, i cili këtë vit mbahet nën temën “Rikthimi i diplomacisë në një botë të fragmentuar”, ka për qëllim të trajtojë sfidat globale në një klimë të tensionuar ndërkombëtare, duke theksuar rëndësinë e diplomacisë si një mjet për stabilitet dhe paqe.

Gjatë qëndrimit të saj në Turqi, Presidentja Osmani do të marrë pjesë në një bashkëbisedim mbi temën qendrore të forumit, duke sjellë perspektivën e Kosovës mbi nevojën për rikthimin e diplomacisë aktive në skenën globale.

Gjithashtu, Presidentja pritet të zhvillojë një sërë takimesh bilaterale me liderë dhe përfaqësues nga vende të ndryshme, me qëllim forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe avancimin e bashkëpunimit të Kosovës në skenën globale.

Forumi Diplomatik i Antalisë mbledh çdo vit liderë shtetesh, diplomatë të lartë dhe ekspertë nga e gjithë bota për të diskutuar mbi çështje kyçe të sigurisë, politikës së jashtme dhe bashkëpunimit ndërkombëtar./Arbresh.info