Gërvalla në Këshillin e Sigurimit të OKB-së: Kosova demokraci e gjallë, Serbia destabilizuese

22:10 | 8 Prill 2025
Q L

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla gjatë fjalës së saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, tha se Kosova është demokraci e gjallë, ndërkaq Serbia nuk ka hequr dorë nga përpjekjet destabilizuese.

“Kosova sot është demokraci e gjallë, e re, reziliente, me orientim drejt rrugëtimit euroatlantik. Por Serbia nuk është se ka ndërruar shumë, ajo vazhdon të përpiqet të destabilizojë demokracinë tonë. E përtej kësaj e bën këtë jo veç përmes retorikës, por me veprime konkrete e të dhunshme që rrezikojnë paqen rajonale”, ka thënë ajo.

Gërvalla përmendi sulmin e Banjskës si shënjestër e grupit paramilitar i mbështetur nga vet autoritete serbe.

“Milan Radojçiq njihet publikisht për lidhjet e tij me elitën politike të Serbisë, duke përfshirë edhe ministrin aktual të Punëve të Jashtme, Duric që është këtu dhe presidentin Vuçiq. Ka fotografi publike të zotit Duric ulur në kafieteri në Beograd me Radojçiqin, që e dëshmojnë këtë lloj lidhje. Ky ka qenë akt i hapur agresioni kundër një shteti fqinj, kryer nga një grup me trajnim ushtarak, pajisje logjistike, të gjitha këto të siguruara nga Serbia”, ka thënë Gërvalla.

“Dua t’i jap jehonë fjalëve të shprehura në Këshillin e Evropës gjatë procesit të anëtarësimit të Kosovës. Dora Bakoyannis, raportuese për anëtarësimin e Kosovës kishte deklaruar: ‘Kosova është demokraci funksionale, që respekton të drejtat e njeriut e të komuniteteve’. Më shumë se 82% të anëtarëve në Komitetin PACE kanë kërkuar anëtarësimin e Kosovës, dhe po jemi vend demokratik dhe jemi krenar për këtë”, ka thënë Gërvalla.

Bajram Çerkini kujtohet në KS të OKB-së: Mishërim i humanizmit

Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh gjatë adresimit të saj ka kujtuar kryetarin e Shoqatës së Personave të Pagjetur, Bajram Çerkini, i cili ndërroi jetë më 24 shkurt.

Me këtë rast ajo ka ftuar palët që të shfrytëzojnë Komisionin e përbashkët për të pagjeturit të krijuar përmes dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel.

“Inkurajoj të gjitha palët që të shfrytëzojnë këtë komision të përbashkët bashkërisht me grupin ekzistues për personat e pagjetur për të ecur më tutje për të zbardhur fatin e më të dashurve të tyre. Në këtë kontekst dua të kujtoj vdekjen e Bajram Çerkinit, babai i një djali të zhdukur me forcë që i ka kushtuar dekada jete avokimit për të drejtën për të ditur, përpjekjet e të cilit kanë prekur shumë komunitete e etni dhe kanë qenë mishërim i humanizmit”, ka thënë Caroline Ziadeh, kryetarja e këtij Këshilli.

Kosova po përfaqësohet nga zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme