Vitin e kaluar Kosova eksportoi mbi 39 milionë euro mallra në SHBA

20:30 | 3 Prill 2025
E.H

Nga prilli, bizneset kosovare do të paguajnë tarifa prej 10% për produktet që i eksportojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo pas vendimit të administratës së re amerikane Trump për tarifa reciproke ndaj të gjitha vendeve, përfshirë këtu edhe Kosovës.

Nga Dogana e Kosovës thanë se gjatë vitit të kaluar vendi ka eksportuar mallra me vlerë mbi 39 milionë euro në SHBA, ndërsa për këtë vit eksporti kap vlerën e mbi 5.7 milionë eurove.

E pas këtij vendimi të Uashingtonit, prodhimi i bizneseve kosovare pritet të bie, për çka thuhet se mund të ketë edhe rënie ekonomike të vendit.

“Padyshim që kjo nuk e bënë shumë konkurrent ose nuk e bën konkurrent me produkte ose të prodhuara në SHBA ose në produktet tjera që importohen ne tregun e SHBA dhe këto produktet tona mund të sfidohen se mund të bie kërkesa për produkte tona e bie më pas edhe eksporti i produkteve kosovare ne tregjet e SHBA”, tha për RTK, Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës

Ndërkaq Kushtrim Ahmeti, nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë tha se kjo rrezikon edhe prodhimin e atij biznesi edhe mirëqenien e punëtorëve aty. “Ee mbi të gjitha rrezikon të hyrat në buxhetin e Kosovës kur e dimë se pjesën dërmuese buxheti i Kosovës e merr nga vetë taksat e bizneseve”, th ai.

Por çka ka eksportuar më së shumti Kosova në SHBA?

Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës tha se rreth 43 për qind kanë qenë mobilieri, dru, jastëk, dyshek, më pas me 30 për qind tekstili dhe veshjet e tekstilit dhe pjesa e mbetur tha se kanë qenë në materiale plastike apo gomave e kështu me radhë.

Nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kanë kërkuar nga qeveria që t’u dal në ndihmë këtyre bizneseve, në mënyrë që mos të rrezikohet prodhimi i tyre.

“Të paktën të kemi mundësi që edh e nëse është përfundimtare vendosja e tarifave të jetë sa më e vogël e mundshme sepse çdo tarifë e ka pastaj koston e vetë negative”, tha Kushtrim Ahmeti nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë

Në situatën e krijuar, nga Oda Amerikane në Kosovë kanë kërkuar që vendi të shqyrtojë heqjen në tërësi të tarifave doganore për produktet amerikane.

Nga Ministria e Industrisë nuk janë deklaruar rreth tarifave të vendosura, derisa është kërkuar nga ekzekutivi që të lobojë drejt heqjes së tyre.

Shpërndaje në rrjete sociale