Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka përkujtuar dhe denoncuar krimet që më 31 mars 1999 Serbia kreu në Pastasel të Rahovecit e në Burim të Malishevës.
Me anë të një postimi në Facebook, Kurti tha se nga 24 marsi i vitit 1999 kur filluan bombardimet e NATO-s, Serbia e Millosheviqit i pati brutalizuar të gjitha veprimet e saj për të realizuar planin gjenocidal “Patkoi”, transmeton Arbresh.info.
“Forcat e armatosura ushtarake dhe policore të Serbisë, brenda javës së fundit të marsit, vranë qindra civilë të pafajshëm e të pambrojtur, teksa torturuan, plaçkitën e dhunuan mijëra të tjerë, si dhe dogjën e shkatërruan prona dhe pasuri me vlerë të pallogaritshme kudo në Kosovë”, ka shkruar Kurti.
Postimi i plotë:
Në ditën e fundit të muajit mars, përkujtojmë dhe denoncojmë krimet që më 31 mars 1999 Serbia kreu në Pastasel të Rahovecit e në Burim të Malishevës.
Nga 24 marsi i vitit 1999 kur filluan bombardimet e NATO-s, Serbia e Millosheviqit i pati brutalizuar të gjitha veprimet e saj për të realizuar planin gjenocidal “Patkoi”. Forcat e armatosura ushtarake dhe policore të Serbisë, brenda javës së fundit të marsit, vranë qindra civilë të pafajshëm e të pambrojtur, teksa torturuan, plaçkitën e dhunuan mijëra të tjerë, si dhe dogjën e shkatërruan prona dhe pasuri me vlerë të pallogaritshme kudo në Kosovë.
Nuk i harrojmë civilët e vrarë në masakrat që forcat e armatosura serbe kryen në Kotlinë të Kaçanikut, në Goden të Gjakovës, në Tërnje të Suharekës, në Randobravë të Prizrenit, në Celinë e Fortesë (ish Bellacërk) të Rahovecit, në Landovicë e Krushë të Vogël të Prizrenit, në Krushë të Madhe të Rahovecit, në familjen Berisha në Suharekë, në Mamushë të Prizrenit, në Padalishtë e Klladernicë të Skenderajit, në Obiliq, në lagjen Dardania në Pejë, në Fushë Kosovë, në familjen Qerkezi në Gjakovë, në Izbicë të Skenderajit, në familjet Bogujevci, Duriqi e Llugaliu në Podujevë, në Matiqan të Prishtinës, në Beleg të Deçanit, në Bair të Mitrovicës, në Dumnicë të Vushtrrisë, në Poterq të Klinës, në Makërmal të Skenderajit, në Abri të Epërme të Drenicës, në Llashticë të Gjilanit, në Burim të Malishevës e në Pastasel të Rahovecit.
Këto data përkujtimore janë dëshmi e gjenocidit të Serbisë, që me forcat policore e ushtarake, u përpoq të shfarosë popullsinë shqiptare vendase në Kosovë.
Këto masakra kanë dëshmitarë e dëshmi, të cilat do të duhej kthyer në dosje provash për aktakuza e dënime për krime lufte, nga prokuroria dhe sistemi i drejtësisë në Kosovë, që janë shumë pasivë krahasuar me kushtet e përmirësuara, pagat e larta dhe dyfishimin e hetuesve që kemi bërë.
Dëshmitë e të gjitha krimeve të luftës së fundit, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit të Serbisë në Kosovë, po mbledhen nga Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë. Ky është një nga obligimet e shumta që po përmbushet ndaj kujtimeve tona si popull dhe kërkesës për drejtësi.
E përhershme është përgjegjësia jonë për historinë dhe drejtësinë për të vrarët, dhe për zhvillimin e Republikës sonë!
Me dhembje e krenari i kujtojmë të gjithë të rënët, sot e gjithmonë.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për ta!/Arbresh.info
OVL UÇK konfirmon protestën më 13 dhjetor në Shkup
PDK ankohet te PZAP-ja për vendimin e KQZ-së për votimin jas...
Qeveria në detyrë ndan mbi 141 mijë euro për projekte me OKB...
Putin paralajmëron nga Nju Delhi: Zgjerimi i NATO-s kërcënon...
Ambasada gjermane: Kosova ka nevojë urgjente për qeveri funk...
Ministrja Rizvanolli mban konferencë për media mbi sektorin ...