Berisha: Akti ynë i parë, dyfishimi i buxhetit në Shëndetësi

16:34 | 25 Mars 2025
E.G

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në një deklaratë për mediet nga selia blu foli për sistemin shëndetësor në vend dhe programin e PD-së.

Sipas Berishës “Shqipëria në raport me shërbimin shëndetësor, që u garanton qytetarëve të saj, renditet me vendet e botës së tretë”.

Berisha shtoi se “vendi përballet me një furnizim me ilaçe të cilësisë më të dobët dhe më të paefektshme, më të pavlerë” dhe kjo për shkak të “ligjeve të miratuar në përputhje me interesa mafioze dhe në kundërshtim me interesat e shëndetit të qytetarëve”.

Berisha tha se PD ka emergjencë programin për kujdesin shëndetësore, duke theksuar se objektivi imediat do të jetë dyfishimi i buxhetit për Shëndetësinë, pasi buxheti që miratohet sot është “krejtësisht i pamjaftueshëm”.

“PD e konsideron emergjencë programin për kujdesin shëndetësor të shqiptarëve. Në këtë kontekst, ajo në aktin e parë, në buxhetin e parë, do dyfishojë buxhetin për shëndetësinë. Në programin e saj, PD do garantojë në mënyrë të padiskutueshme ilaçe të cilësisë që përdoren në vendet anëtare të BE, duke ndaluar me ligj futjen në Shqipëri të çdo medikamenti që nuk përdoret në dy vende të BE”, u shpreh Berisha.

Kryedemokrati theksoi po ashtu se do të hapet një fakultet i dytë i Mjekësisë.

“PD konstaton se sot, numri i shtretërve për frymë është dy herë më i ulët se në vendet e BE. Numri i mjekëve për frymë po shkon katër herë më i ulët. Në këtë kontekst, shtimi i mjekëve, hapja e një fakulteti të dytë mjekësie me qëllim për të kapur sa më shpejt standardin evropian në mjekë për frymë, rikonstruksioni apo ndërtimi i spitaleve të reja do jenë objektiva imediate të PD”, tha Berisha.

Berisha shtoi se do të dyfishohen paga e mjekëve dhe infermierëve në Shqipëri si kusht themelor që në Shqipëri, mjekët të qëndrojnë.

“Ndaj dhe dyfishimi i rrogave do jetë objektivi i parë dhe kryesor në ndërhyrjen tonë për sistemin e shëndetësisë. Raporte të reja ligjore do vendosen midis sektorit privat dhe sektorit publik”, u shpreh Berisha.

“Kartela digjitale dhe digjitalizimi i saj do jetë themel i reformës që ne ndërmarrim. Shqipëria është vendi i vetëm ku nuk ekziston kartela dixhitale, por ekziston kartela njëlloj si në fillim të shekullit të njëzetë”, tha më tej kryedemokrati.

Sipas Berishës duhet një reformë e thellë që “ka një synim dhe vetëm një synim, rritja e shpejtë e cilësisë së shërbimit shëndetësor për qytetarët shqiptarë dhe ulja drastike e barrës financiare të tyre në kujdesin shëndetësor”./atsh.al