Duka pas fitores së Shqipërisë: Është vetëm fillimi, ëndërrojmë deri në fund për Botërorin 2026

22:56 | 24 Mars 2025
D.H

Shqipëria mori fitoren e parë në grupin K në kualifikueset e Botërorit 2026 duke mposhtur me shifrat 3-0 Andorrën.

Pas këtij triumfi ka reaguar edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka përmes një reagimi në rrjetin social Instagram, shkruan Arbresh.info.

“Rikthehemi në shtëpi, rikthehemi te fitorja, me lojë bindëse! Ishte pikërisht ajo që na duhej ndaj Andorrës, ishte një detyrim për vetë faktin që duam të ëndërrojmë deri në fund për të synuar një vend në Botërorin 2026. Janë tre pikët e para për skuadrën, që e përgëzoj për paraqitjen e bërë. Është vetëm fillimi, ka shumë rrugë përpara. Të gjithë duhet të kemi besim te këta djem, janë të njëjtët që na kanë bërë krenarë deri më tani, që na kanë çuar në Evropian, që kanë dhënë emocione, që na kanë dhënë mundësinë të ndjehemi krenarë kudo. Le të festojmë këtë fitore dhe të punojmë për të tjera në vazhdim”, shkruan Duka në Instagram.

Sfidën e radhës në këtë grup kuqezinjtë e luajnë ndaj Serbisë në qershor./Arbresh.info

Të ngjashme