Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka mirëpritur opinionet e Komisionit të Venecias, për projektligjet që kanë të bëjnë me KGJK-në, me rekrutimin dhe vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, me procedurën disiplinore për gjyqtarë dhe prokurorë dhe Akademinë e Drejtësisë.
Këto opinione janë miratuar gjatë Sesionit të 142-të Plenar të Komisionit më 14-15 mars 2025.
Në një komunikatë për media, KGJK vlerësoi analizën e Komisionit të Venecias për pakon legjislative, duke theksuar se “projektligjet janë përgjithësisht në harmoni me standardet evropiane”.
Këshilli nënvizon se rekomandimet e Komisionit janë të “mirëseardhura” dhe do të luajnë një rol të rëndësishëm në forcimin e pavarësisë, efikasitetit dhe integritetit të sistemit gjyqësor të Kosovës.
Projektligjet, të cilat janë rezultat i një angazhimi të përbashkët për reformën në drejtësi, janë nënshkruar më 14 mars 2023 nga Ministria e Drejtësisë, KGJK, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), Gjykata Supreme dhe Prokurori i Shtetit.
KGJK ka shprehur angazhimin për të përmbyllur procesin e miratimit të këtyre projektligjeve në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e tjera vendore dhe ndërkombëtare.
Në lidhje me rekomandimet, KGJK ka theksuar disa pika kyçe që do të ndikojnë në përmirësimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë, duke përfshirë:
Sigurimin e pavarësisë institucionale të KGJK-së dhe shmangien e çdo ndikimi të panevojshëm nga ekzekutivi apo organet e tjera të pushtetit”;
Përmirësimin e procedurave të rekrutimit, emërimit dhe vlerësimit të performancës së gjyqtarëve dhe prokurorëve duke siguruar standarde të qarta dhe të parashikueshme;
Sigurimin e një sistemi më të qëndrueshëm dhe të drejtë të kontrollit të integritetit dhe disiplinës në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe standardet evropiane si dhe
Garantimin e trajnimeve cilësore për gjyqtarët.
KGJK gjithashtu ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuuar në hartimin e kësaj pakoje ligjore, përfshirë gjyqtarët, ekspertët, institucionet dhe organizatat e shoqërisë civile.
“Kontributi i tyre ka qenë i një rëndësie të veçantë për sigurimin e një reforme gjithëpërfshirëse dhe të bazuar në standarde të larta profesionale,” theksohet në njoftimin e KGJK-së.
Në përmbyllje, KGJK ka bërë thirrje për adresimin sa më të shpejtë të rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe ka theksuar rëndësinë e përparimit të reformës në drejtësi, si një element kyç në rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian.
“Progresi në zbatimin e kësaj reforme është thelbësor për ndërtimin e një sistemi gjyqësor të besueshëm, transparent dhe efikas, që i shërben qytetarëve dhe rrit besimin e publikut në drejtësi”, thuhet në njoftim.
Opinioni i Komisionit të Venecias mund të gjendet në këtë link.
Nis takimi i Osmanit me liderët e partive politike për datën...
Haradinaj arrin në Presidencë për takim me Osmanin
VV s’i shkon në takim Vjosa Osmanit
Udhëheqësit fetarë rrethojnë Trumpin dhe luten për të, pamje...
Izraeli sulmon bunkerin nëntokësor të liderit të Iranit
Nagavci: Do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese për shpërnda...