Rama: Lista e PD për një opozitë qëndrestare

09:59 | 18 Mars 2025
E.G

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama komentoi sërish sot zhvillimet në kampin opozitar, ndërsa u shpreh se “situata në kënetë është turbulente”.

Rama iu përgjigj live në rrjetet sociale pyetjeve të adresuara nga qytetarët duke u shprehur se edhe lista për zgjedhjet e 11 majit është listë për opozitë qëndrestare, pasi sipas tij, “‘bufi’ e di më mirë se të gjithë që nuk ka asnjë shans”.

“Bufat i kemi lënë në kënetë. Duhet të ma dëgjoni fjalën edhe ju që e keni mendjen akoma te PD-ja, por PD nuk ka. Është një AKM-Aleanca për Kënetën Madhështore. Nuk e di si do hidheni aty. Edhe Selami Jenisheri ishte distancuar nga aleanca se ata kanë një luftë të fortë për pushtet me Kujtim Gjuzin, është kryeministri në hije i aleancës. Sepse e vetmja gjë madhështore që ka aleanca janë mustaqet e Kujtimit”, tha Rama.

Sipas tij, “situata në kënetë është turbulente”. “Megjithatë pa merak se i ha bufi ata dhe i kullufit. Lista e bufit është listë për opozitë qëndrestare. Bufi e di më mirë se të gjithë që nuk ka asnjë shanc dhe do ta bëjë listë për një opozitë qëndrestare”, tha Rama.

Ndërsa për Lulzim Bashën, Rama ironizoi duke thënë: “Live nuk e fus dot Lulin se është duke fjetur tani, por do t’i japi një përgjigje se më ka kërkuar dje prapë. Por lëre të flejë edhe një çik, nga ora 12:00 zgjohet. Tani që është zgjuar se kur nuk zgjohet, nuk zgjohet ai, feston Vitin e Ri, fle gjumë dhe zgjohet në pranverë. Dhe pranvera për të nuk fillon në 14 mars, por fillon në 22 qershor. Por është zgjuar këtë herë, më ka surprizuar”./atsh.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme