Rama: Siguria ushqimore, sfida më komplekse e procesit të integrimit në BE

15:06 | 21 Prill 2026
E.K

Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të martë një takim me operatorë të biznesit ushqimor, ku theksoi rëndësinë e procesit të anëtarësimit në Bashkimi Europian si një sfidë kyçe për garantimin e sigurisë ushqimore në vend.

Rama e cilësoi sigurinë ushqimore si një nga sfidat më të vështira të negociatave, duke theksuar se roli i Bashkimit Europian është thelbësor për garantimin e standardeve dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.

Rama nënvizoi se ky proces nuk lidhet thjesht me përmbushjen e detyrimeve ndaj të tjerëve, por me përfitimin e një “bagazhi të pazëvendësueshëm dijeje”, që ndihmon Shqipërinë të ndërtojë standarde europiane në funksion të shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve.

“Ky proces lidhet me sfidën më komplekse të të gjitha proceseve të anëtarësimit, që është sfida ushqimore. Këtu del në pah rëndësia madhore që ka për ne procesi i anëtarësimit në BE, të cilin shumëkush e ngatërron me një proces që lidhet me detyra që i plotësojmë për hir të të tjerëve. Në fakt, ky proces lidhet me një bagazh të pazëvendësueshëm dijeje, që ne duhet ta importojmë nga BE në Shqipëri, për të ndërtuar shtetin europian të shqiptarëve dhe standarde që janë në shërbim të shëndetit të çdo familjeje shqiptare,” u shpreh Rama.

Ai theksoi se pa këtë proces dhe pa reformat që e shoqërojnë, do të ishte e pamundur arritja e standardeve të sigurisë dhe garantimi i zhvillimit e prosperitetit të vendit.

“Kur flasim për siguri ushqimore, flasim për një sfidë që nuk mund ta realizojmë nëse nuk zotërojmë dijet për të ngritur gjithë atë ngrehinë institucionale dhe politikëbërëse. Standardet europiane nuk janë zinxhirë në këmbët tona, por janë krahë që na ndihmojnë të ngjitemi më lart,” tha kryeministri.