Bislimi e informoi Sorenson për përpjekjet e Serbisë për të ndaluar ndihmat financiare të Kosovës për shqiptarët në Luginë

15:41 | 17 Mars 2025
E.H

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, priti në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen, në vizitën e parë zyrtare të emisarit të ri në Kosovë.

Ai shoqërohej në këtë takim dhe nga Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, transmeton Arbresh.info.

Bislimi e njohu në fillim të takimit emisarin Sørensen me progresin që ka shënuar vendi përgjatë viteve dhe mundësive për zhvillim që ofron Kosova, duke veçuar sektorin e teknologjisë së informacionit dhe moshën mesatare të re të popullsisë si aset të rëndësishëm.

Nga ana e tij, Sørensen e uroi zëvendëskryeministrin për procesin zgjedhor në zgjedhjet e fundit të 9 shkurtit.

“U bisedua mbi një sërë temash, me fokus në rrugën përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve në kuadër të procesit të dialogut. Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se Marrëveshja Bazike dhe Aneksi i Implementimit i Ohrit duhet të zbatohen në tërësi përmes një plani të sekuencimit të drejtë dhe të barabartë mes palëve. Ai vlerësoi edhe qëndrimin publik të Bashkimit Evropian se sjellja e Serbisë në Këshillin e Evropës është shkelje e marrëveshjes”, thuhet në njoftimin nga ZKM.

Tutje, zëvendëskryeministri ngriti shqetësimin dhe e informoi emisarin Sørensen mbi përpjekjet e autoriteteve serbe për të ndaluar ndihmat financiare të qeverisë së Republikës së Kosovës për shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi emisarin Sørensen për vizitën e bisedën e sotme, duke shprehur edhe vullnetin e tij për bashkëpunim të frytshëm./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale