Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe njëkohësisht kryetar i PS zhvilloi sot një takim me asambletë socialiste të njësive, 5,6, 13 dhe 14 në Tiranë.
Në fjalën e tij kreu i qeverisë foli për Reformën në Drejtësi dhe për SPAK, duke theksuar se luftën kundër korrupsionit e hapi PS dhe nuk e hapi Amerika. Duke iu referuar deklaratave të kryetarit të Partisë Demokratike, Rama tha se të ishte për “”bufin e kënetës” SPAK sot do të ishte shkrirë”.
“Patjetër që ka gjëra që nuk shkojnë, por ama duke filluar nga kjo e korrupsionit, kjo është gjëja më e tmerrshme. Është më e tmerrshmja që ne ta pranojmë pa luftë, që të na kërkojnë ne hesap të tjerët, ne mund t’i kërkojmë hesap njëri-tjetrit, ju mund të kërkoni hesap, mua unë mund t’ju kërkoj hesap juve, brenda po brenda, po askush jashtë kësaj partie nuk na kërkon dot ne hesap, për luftën kundër korrupsionit, sepse çfarë po ndodh sot është lufta jonë. Nuk jemi ne viktimat këtu. Nuk është një luftë që na e hapi Amerika, se Amerika i tërhoqi ushtarët që kishte sjellë për të ndihmuar dhe për të mbështetur SPAK-un, ikën. Nuk janë më aty, se i tërhoqi nga gjithë bota. Ja ku është SPAK-u prapë aty. Kush e mban SPAK-un tani aty? Meqë e kishte sjellë Amerika, e mbante Amerika, i bënte Amerika këto. Kush e mban pastaj? E keni dëgjuar bufin e kënetës që thotë do ta shkrijë? Në qoftë se ne do ishim ata që përpiqen të na pikturojnë, ishte shkrirë SPAK-u sot. S’kishte nevojë fare. Një fishkëllimë bufit dhe kishte, e di si vinte, e di si vinte me ato flokët, sikur sapo ka zbritur nga motori”, u shpreh Rama.
“Me zhaba, me zhapiqe, me bretkoca, me gjithë ushtrinë nga mbrapa për të shkrirë SPAK-un, por nuk ndodh kjo. Pse nuk ndodh? Jo se s’na lë Amerika, po sepse e kemi sjellë ne këtë punë deri këtu dhe e kemi sjellë jo sipas berihajit, sepse logjika më elementare s’kishin nevojë të kishe studiuar shkencë, logjika më elementare në qoftë se ti do të hysh në një reformë që do pavarësosh drejtësitë dhe do të hiqesh ti nga kontrolli, ti je i pari që do goditesh, sepse ti je në pushtet. Kush do goditet? Ti je në pushtet”, tha Rama.
Rama shtoi se kryedemokrati ka disa kusure me drejtësinë. Sipas Ramës, kur në një vend lufta kundër korrupsionit intesfikohet rezultatet dhe perceptimi nuk përputhen.
“Ata kanë disa kusure, ato të mëdha fare, që i dimë ne shumë mirë dhe ato kusure nuk harrohen. Unë ia u kam thënë me kohë. 21 Janari është një nga ato krime që e ka treguar historia e botës, nuk ndëshkohen shpejt, por nuk harrohem kurrë edhe një ditë paguhen, po ja një, dy, tre kusure. Kusuret e tjera i ka ai që qeveris. Janë dy gjëra që duhen pasur parasysh. E para, e thotë gjithë literatura për këtë punë është e analizuar, e studiuar, e shkruar që kur në një vend, lufta kundër korrupsionit intensifikohet, rezultatet dhe perceptimi nuk përputhen. Pse? Për një arsye shumë të thjeshtë, sepse flitet korrupsion, korrupsion, korrupsion, futen në mes interesat politike. Çfarë argumenti tjetër kanë ata? Ata s’kanë asnjë argument. Dhe kur them “ata” kam parasysh të gjithë, kuak-kuak-kua-të, jo vetëm “kënetën bojëblu”. Kam parasysh të gjithë çfarë kanë tjetër. “Të hynë të gjithë në burg”, “të gjithë në burg s’ka më”, si s’ka më?! Por ne kemi pas 60 e kusur ministra në qeveri”, tha Rama.
Rama theksoi se vazhdimësinë dhe pakthyeshmërinë e reformës në drejtësi e garanton Partia Socialiste. Sipas Ramës, nuk është punë individësh më, është punë e një e një momenti historik kur ne e garantojmë reformën në drejtësi dhe ecurinë e gjithë proceseve antikorrupsion, Bashkimi Europian i vë vulën.
“Dy ministra të dënuar, njëri i Partisë Socialiste dhe njëri i “Aleatit strategjik” (LSI – shën i red.), ndjesë pastë, në mandatin e parë. Pra, të mandatit të parë ata, njëri ende në gjykim, pra prezumimi i pafajësisë ekziston akoma, tjetri i arratisur për t’i ikur drejtësisë. Kam harruar ndonjë? Mund të ishin edhe më shumë dhe prapë nuk do donte të thoshte fare që ne duhet të trajtohemi si njerëzit që duhet të paguajnë, pse në fakt hapëm kapakun e një pusete që ishte e mbyllur që nga 1912-a. Se në qoftë se ky është sebepi për të kundërvotuar Partinë Socialiste, atëherë duhet të na tregojnë një tjetër forcë politike, e cila që nga 1912-a ka bërë këtë që kemi bërë ne, dhe tjetra është: Kush e garanton vazhdimësinë e kësaj? Të gjithë duam që kjo të vazhdojë. Të gjithë ju, të gjithë shqiptarët, ata që s’na votojnë. Një pjesë e madhe e tyre duan që kjo të vazhdojë. Ok, po kush e garanton? Ndërkohë, “bufi” e ka thënë copë, do ta shkrijë. Kush e garanton, ca të tjerë që tentojnë çdo gjë, se as kanë gjë në dorë as nuk do kenë gjë në dorë? Këtë e garanton vetëm Partia Socialiste, nuk ka tjetër. Vazhdimësinë dhe pakthyeshmërinë e reformës në drejtësi e garanton Partia Socialiste. Po, e garanton Partia Socialiste dhe e blindon futjen në Bashkimin Evropian. Dhe bashkohen të dyja bashkë. Nuk është punë individësh më, është punë e një momenti historik kur ne e garantojmë reformën në drejtësi dhe ecurinë e gjithë proceseve antikorrupsion, Bashkimi Europian i vë vulën, se aty pastaj s’bëhet fjalë të ketë kthim mbrapa”, tha Rama.
Rama shtoi se “po tani thënë këto, si qëndron e vërteta lidhur me atë që thashë më parë? Që kur zhvillohen, kur ka faza lufte intensive kundër korrupsionit, perceptimi për korrupsionin përkeqësohet, ndërkohë që rezultati përmirësohet. Dhe kjo është fazë, sepse flitet vetëm për këtë, por rezultatet, jo të miat, pra jo ato që i them unë, po që i thotë Bashkimi Evropian dhe ndërkohë drejtësia do të bëjë gabimet e veta. Shqipëria ka qeveri që në 1912 dhe prapë krahasuar me qeveritë e Francës, Gjermanisë, Britanisë apo merreni, numërojini sa doni vende që kanë më shumë traditë, ne prapë jemi si qeveri, po themi, e kemi qeveri një institucion të ri. Llogaritet tani një drejtësi që për herë të parë në historinë e vet funksionon e pavarur dhe ku njerëzit e saj kanë një kulturë shumë, shumë pak europiane, një pjesë e tyre kanë dëshirën e madhe që të bëjnë gjënë e duhur, por nuk mjafton. Tani ndryshimi midis gabimeve që bën cilido tjetër, një gabim i bashkisë X në mbjelljen e pemëve, në vend të mbjelljes brenda sezonit të mbjelljeve, i mbjell në korrik, kushton njëqind pemë që thahen. Një gabim i një sistemi të ri drejtësie, që është totalisht i pavarur, por që ka mangësi të tjera, kushton jetë njerëzish. Kjo është një kosto shumë e madhe. Për ne, kur ndodh që e perceptojmë që këtu u shkel, është edhe dhimbja”.
“Mirëpo, kjo është politika, ky është misioni që është përtej personales. Duhet ta përballojmë dhe duhet të vazhdojmë të këmbëngulim, që kështu duhet të jetë tani. Këto janë kosto, që përndryshe rruga tjetër është ktheu aty ku ishe dhe vazhdon loja”, u shpreh Rama.
Rreth 64 mijë aplikime nga diaspora për votimet e 28 dhjetor...
SHBA i cakton afat 2027-ën Europës që ta marrë drejtimin e m...
Shpërthejnë luftime vdekjeprurëse në kufirin midis Pakistani...
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi: Nëse kualifikohemi, ky do t...
Zgjedhjet e 28 dhjetorit, sot afati i fundit për ta ndërruar...
Moti në Shqipëri