Arrestohet një person në Jarinjë i dyshuar për krime lufte në 1999-tën në Gjakovë

14:37 | 25 Shkurt 2025
E.H

Policia e Kosovës, konkretisht Sektori për Hetimin e Krimeve të Luftës sot në pikën kufitare të Jarinjës, ka ndaluar një person i cili dyshohet se ka kryer krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.

I dyshuari me inicialet D.R dyshohet se ka kryer krime lufte në komunën e Gjakovës në periudhën kohore 07-10 maj 1999, përcjell Arbresh.info

“Sipas hetimeve të kryera nga Hetuesit e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Luftës, i dyshuari me iniciale (D.R.) është i dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” të kryer gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), në komunën e Gjakovës në periudhën kohore 07-10 maj 1999, duke vepruar në grup dhe të organizuar si zyrtar të mobilizuar me njësi të përbëra nga MUP-i serb”, thuhet në njoftim.

I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit të tij mbrojtës.

“Prokurori i rastit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës është informuar për të gjitha veprimet hetimore dhe ka lëshuar aktvendimin për ndalimin e të dyshuarit për 48 orë, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi. Policia e Kosovës është e përkushtuar të vazhdojë me hetimet dhe bashkëpunimin e ngushtë me autoritetet përkatëse për të siguruar drejtësi lidhur me krimet e luftës në Kosovë”, thuhet në njoftim./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme