“Histori shembullore dhe e fuqishme”, Kurti: E bekuar qoftë rruga e Kosovës krah Shqipërisë dhe SHBA-së

22:23 | 17 Shkurt 2025
E.H

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se në historinë moderne të Evropës, krijimi i shtetit tonë është një nga historitë më të fuqishme dhe shembullore, të përparimit të vetëdijes së një populli për liri dhe këmbënguljes së tij për shtet.

Në llogarinë e tij në Facebook, Kurti ka publikuar një video nga parakalimi i FSK-së dhe Policisë së Kosovës për nderë të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës teksa ka uruar edhe njëherë Ditën e Pavarësisë, përcjell Arbresh.info.

“Republika jonë njëmend është shteti më i ri në kontinentin e vjetër, por mund të jetë shteti me historinë më të gjatë të përpjekjes për krijimin e tij. Sot është shtëpia e popullit tonë te e cila strehohemi dhe jetojmë të gjithë ne, pa dallime kulturore dhe shoqërore, etnike dhe fetare, me bashkëpjesëmarrje dhe të barabartë”, ka shkruar Kurti.

“Lavdi dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës. E bekuar qoftë rruga e Republikës së Kosovës krah Republikës së Shqipërisë, bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet tona aleate evropiane dhe të tjera perëndimore. E ndritur qoftë e ardhmja jonë dhe e gjithë fëmijëve tanë, në paqe dhe përparim. Urime 17 Shkurti! Urime 17 vjet pavarësi”, tha Kurti./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale