Letra e plotë e Trump: Është e rëndësishme që Kosova ta thellojë integrimin e saj në komunitetin euroatlantik

17:46 | 16 Shkurt 2025
E.H

Presidenti amerikan, Donald Trump ka dërguar një letër urimi për presidenten e vendit, Vjosa Osmani me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Në letrën e urimit, Trump ka theksuar mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe angazhimin e saj për ndërtimin e një shoqërie demokratike për të gjithë qytetarët, pa dallim, transmeton Arbresh.info.

Letra e plotë e Trump për Presidenten Osmani:

E nderuara Zonja Presidente,

Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, ju lutem pranoni urimet e mia më të përzemërta për Ju dhe popullin e Kosovës me rastin e Ditës së Pavarësisë. Rrugëtimi i Kosovës si një komb sovran është shënuar nga qëndrueshmëria dhe vendosmëria.

Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht Kosovën dhe angazhimin e saj për ta ndërtuar një shoqëri demokratike, ku të gjithë qytetarët e saj mund të jetojnë dhe të lulëzojnë së bashku. Lidhjet mes popujve tanë janë të forta dhe presim me kënaqësi t’i zgjerojmë më tej këto marrëdhënie, veçanërisht përmes rritjes së mundësive për investime, me qëllim që të sjellim më shumë prosperitet për të dyja vendet tona.

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me Kosovën në forcimin e institucioneve demokratike dhe promovimin e rritjes ekonomike përmes një mjedisi të qëndrueshëm dhe të drejtë biznesi.

Shtetet e Bashkuara presin ta ndërtojnë një marrëdhënie edhe më produktive me qeverinë e Kosovës në vitin që vjen. Ndërsa punojmë me Kosovën dhe fqinjtë e saj për ta ndërtuar një rajon më të begatë dhe më të sigurt, është e rëndësishme që Kosova ta thellojë integrimin e saj në komunitetin euroatlantik. Mbështetja e palëkundur e Kosovës për Ukrainën përballë agresionit rus vlerësohet jashtëzakonisht shumë.

Përvjetori i pavarësisë së Kosovës është një moment për të nderuar arritjet e së kaluarës si dhe për të parë drejt një të ardhmeje më të ndritur dhe marrëdhënieve më të thella mes kombeve tona. Ju dërgoj urimet e mia më të mira popullit të Kosovës në këtë ditë feste./Arbresh.info

 

LEXO EDHE:

Donald Trump uron Presidenten Osmani për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme