Çitaku thirrje veteranëve të UÇK-së: Festoni për 17 Shkurt, politikanët dhe qeveritë janë të përkohshme

18:01 | 15 Shkurt 2025
E.K

Sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas vendimit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) për të mos bashkëpunuar me Qeverinë e Kosovës në aktivitete të organizuara për 17-vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Çitaku ka ftuar veteranët e luftës që të festojnë këtë ditë historike, duke theksuar se kjo është festa e atyre që sakrifikuan për lirinë e Kosovës.

Në një postim në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka theksuar se politikanët dhe qeveritë janë të përkohshme, ndërsa ata që kontribuuan për lirinë e vendit janë të përhershëm.

Postimi i plotë

17 Shkurti është kurorëzimi i ëndrrave tona shekullore, i sakrificës së panumërt brez pas brezi. Është dita kur mbi dhimbjen tonë u ngrit flamuri i pavarësisë, kur mbi plagët e luftës u ndërtua shteti ynë i shumëpritur.

Të nderuar veteranë, i kuptoj dilemat tuaja. Si mund të festosh me ata që të kanë mohuar? Si mund të gëzosh me ata që të kanë quajtur mercenar? Si mund ta ndash festën me ata që për vite të tëra të kanë trajtuar si barrë, e jo si themel të kësaj lirie?

Por, veteranë të nderuar, ju që dhatë gjithçka, ju që keni mbetur me plagë në trup e shpirt – kjo është festa juaj! Kjo nuk është festa e politikës, e as e atyre që sot ndajnë popullin e Kosovës në “të mirë” e “të këqij”. Kjo është festa e të gjithë atyre që sakrifikuan; e nënave që nuk panë më kurrë djemtë e tyre; e atyre që luftuan me armë, me fjalë, me guxim e me shpresë.

Feston ose jo, zemra jote di pse.Dhe askush s’mund t’jua marrë meritat. Askush s’mund t’jua zbehë luftën. Askush s’mund t’jua shuajë dhimbjen.

Lutja ime për ju, me përulësi, është: festoni! Politikanët dhe qeveritë janë të përkohshme. Ju jeni të përhershëm.

Pak rëndësi ka nëse jeni pjesë e ceremonive qeveritare. Ju, ju festoni!

Lavdi të rënëve për liri! Respekt i thellë për ju, që e bëtë këtë ditë të mundshme!/Arbresh.info