Analisti politik, Imer Mushkolaj ka reaguar ndaj akuzave të Grupit të LDK-së në Kuvendin e Prishtinës, i cili ka thënë se Mushkolaj nuk është tanimë analist, por është politikan i pa adresë, e paraqitjet politike pa adresë dyshohen të dalin si prej një spiuni të shumanshëm, që kryen shumë detyra. Se cila është detyra e Imerit, më së miri e di ai vetë.
Mushkolaj në kundërpërgjigjen e tij ka thënë se ai po akuzohet nga njerëz të paskrupullt të partisë e cila sipas tij, mbledh vota duke shar SHIK-ut e pastaj duke bashkëqeveris.
Lexoni përgjigjen e plotë të Mushkolajt:
NJË PËRGJIGJE SHKATËRRUESVE DHE MORALIZUESVE TË LDK’së
Grupi i LDK-së në Kuvendin e Prishtinës paska reaguar ndaj kolumnes sime në gazetaexpress.com me titull “Shkatërrues e moralizues” (http://www.gazetaexpress.com/…/shkaterrues-e-moralizues-16…/), duke më mveshur lloj-lloj etiketimesh që mund t’i prodhojë veç logjika e sëmurë e konspiracioniste.
Më duhet t’iu përgjigjem me radhë glacitjeve të tyre, veç për t’iu treguar se jo të gjithë janë si ata, mendojnë si ata, shkatërrojnë si ata dhe moralizojnë si ata.
Në reagimin e tyre lëdëkëistët provojnë të japin leksione moraliste, fyejnë, shpifin e merren me konspiracione.
Sipas tyre, unë qenkam “politikan i paadresë”, ndërkohë që të tillë njihen të jenë pikërisht këta tipa të LDK’së, që në kërkim të favoreve e privilegjeve nuk ngurrojnë të shëtisin nga partia në parti, duke harruar parime e moral.
Sipas tyre, unë dyshohet të kem qenë dhe vazhdoi të jem “pjesë e të ashtuquajturit SHIK-izëm, që po i tmerron të gjithë, pos LDK-së, e cila ka përvojë të keqe nga ai organizëm, që herë na del të jetë ndërtues i fshehtë, e herë rrënues i hapur i shtetit, sinonim i sistemit korruptiv në Republikën e Kosovës dhe rrënues edhe i individëve të caktuar”.
Veç shiheni kush flet kështu. Njerëzit e paskrupullt të partisë që mbledh vota duke e sharë SHIK’un, e pastaj qeveris bashkë me të. Njerëzit e partisë që shefin e SHIK’ut e zgjedhin kryetar Kuvendi.
Nëse LDK paska përvojë të keqe nga SHIK’u, pse po qeveris me të? Pse po qeveris bashkë me njerëz të SHIK’ut, nëse kjo organizatë qenka sinonim i sistemit korruptiv në Kosovë? Njerëzit me pak moral e fytyrë nuk do ta bënin këtë.
Mendimin tim të shprehur haptas dhe lirshëm, tipat e LDK’së e konsiderojnë “paraqitje politike pa adresë”, nga ato që “dyshohen të dalin si prej një spiuni të shumanshëm, që kryen shumë detyra”.
Çka nuk prodhojnë mendjet konspiracioniste. Mbase traditën e spiunimit mund ta kenë ata vetë ende metodë për luftimin e tjetrit, në përpjekje për të fituar sa më shumë favore.
Tipat e LDK’së së Prishtinës parashikojnë edhe të ardhmen time. Sipas tyre, unë do të jem “o (zv.) ministër, o i rrënuar gjithandej”.
Nuk kanë faj. Ata mendjen e kanë veç te postet, veç te karrigat, veç te përfitimet, veç te privilegjet. Dhe kanë fytyrë t’i nxjerrin këto fjalë nga goja ata që bëjnë çmos për ta zënë një post ministri a zëvendësministri, ata që qindra-mijëra vendet e premtuara të punës për qytetarët i kanë zëvendësuar me qindra vende pune për militantë partiakë të punësuar në qeveri e borde ndërmarrjesh publike.
Tipat e LDK’së së Prishtinës, po ashtu, ma zënë për të madhe pse paskam zgjedhur për të folur për shkatërrimin e Prishtinës nga kjo parti “një ditë pas ditës së manifestimit dinjitoz, me rastin e 10 vjetorit të vdekjes së Presidentit Historik, Ibrahim Rugova”;
Veç shiheni kush i thotë këto fjalë. Ata që një dekadë pas vdekjes së Rugovës vazhdojnë të përfitojnë nga emri i tij, ata që të ashtuquajturën “filozofi rugoviane” e kanë shkërdhyer në këmbim interesash e favoresh, pa zgjedhur formë, mjete e parime. Ata që “presidentin historik” e zënë goje veç kur duan të përfitojnë poenë politikë dhe jo vetëm. Ata që po këtë “president historik” nuk kanë hezituar ta sabotojnë në kohë të vështira, atëherë kur shefi i tashëm i partisë ishte ministër i qindra milionëve të Trepërqindëshit.
Tipat e LDK’së më thonë se nëntoka e SHIK’ut më paska gjetur mua për të akuzuar “LDK-në e mandateve” që paska bërë mrekulli në Prishtinë. Sipas tyre, “nuk ka dyfytyrësi më të madhe se populizmi bashkëkohor i kryetarit të Prishtinës dhe i atyre që dështimin e tij përpiqen ta lidhin me ‘borën e parvjeme’”.
Këtyre tipave mendja ua thotë se njerëzit e kanë harruar se Prishtina është shkatërruar nën qeverisjen e tyre. Ata kërkojnë që të mos përmendet “bora e parvjeme”, mos të përmendet shkatërrimi i kryeqytetit, ata duan që të harrohen të gjitha të zezat që për 13 vjet me radhë i janë bërë Prishtinës, duke e kthyer në një vend të mjerë, të degraduar, pa identitet e pa shpresë. Ata kërkojnë që të mos iu thuhet qartë se e kanë vrarë qytetin.
Për krimin urbanistik dhe jo vetëm që i është bërë Prishtinës, tipa si këta reagimin ndaj shkrimit tim do të duhej ta shkruanin nga ndonjë qeli burgu, e jo nga banesa e shtëpi luksoze të siguruara gjatë kohës së artë të qeverisjes së tyre.
Tipat e LDK’së më porositin se “është mirë të mos i shërbej nëntokës” dhe se vështirë e paskam në politikë, aq më shumë kur pjesë e saj të bëhem “përmes metodave SHIK-iste”.
Kur këta e përmendin SHIK’un, me të cilin bashkëqeverisin, e njerëzit e të cilit i kanë akuzuar vite me radhë për krejt të këqijat që ia kanë sjellë vendit, madje edhe për vrasje të bashkëpartiakëve të tyre, secili e kupton se me çfarë njerëzish kemi të bëjmë.
Kam menduar se ka marrë fund logjika e viktimizimit, e cila vite me radhë e ka përcjellë LDK’në. LDK’në, njerëz të së cilës si papagaj na përsëritin se na qenka parti institucionaliste, por që nuk është gjë tjetër veç parti interesash të ngushta e meskine. Dëshmi për këtë është Prishtina e sotme. Dëshmi për këtë është qeveria qendrore aktuale.
Këta tipa të LDK’së nuk duan ta kuptojnë se në këtë vend të qeverisur nga ata dhe SHIK’u ka edhe njerëz që nuk frikësohen ta thonë hapur atë që mendojnë, njerëz që denoncojnë moralizimet e tyre të pakripë, siç mund të jenë, sipas tyre, edhe kiflet e Shpend Ahmetit. Këta nuk duan ta kuptojnë se jo të gjithë mendojnë si ata – se të qenit në pushtet është privilegj, e jo përgjegjësi. Këta nuk duan ta kuptojnë se koha e viktimizimit dhe fajësimit të të tjerëve për dështimet e veta ka perënduar dhe nuk kthehet më. Aq sa “bora e parvjeme” që i befasonte çdo dimër komunarët e atëhershëm dhe e bllokonte Prishtinën ditë me radhë.
Më duhet ta përsëris se, po të isha në vendin e këtyre tipave të LDK’së dhe të tjerëve si këta, do të më vinte turp të flisja për Prishtinën. Por këta tipa që kurrsesi nuk po mund të pajtohen me faktin se më nuk e kanë në dorë Prishtinën që të luajnë me të si të duan, duket se turpin e kanë ngrënë me bukë. Andaj, hiç pa u skuqur, provojnë të japin leksione që më s’iu beson askush, në vend që të japin përgjegjësi për vrasjen e Prishtinës. Prishtina akuzon.
Ndahet nga jeta veterani i UÇK-së dhe ish i burgosuri politi...
Rinumërohen votat në 8 komuna
Romano jep detaje lidhur me mundësinë e vazhdimit të kontrat...
Kurti nderon Ibrahim Rugovën në 20-vjetorin e vdekjes së tij...
Man City me gjest të jashtëzakonshëm për tifozët, pas humbje...
Trump bën deklaratën më të qartë deri më tani – përjas...