Kosova ka njërën ndër kushtetutat më modern dhe më gjithëpërfshirëse dhe ajo është sinonim i të gjitha përpjekjeve shumëvjeçare për liri, pavarësi dhe demokraci. Kështu u tha nga zyrtarët më të lartë shtetërorë në ceremoninë me rastin e shënimit të 7-vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të organizuar nga ana e Ministrisë së Drejtësisë.
E para e vendit, Atifete Jahjaga tha para të pranishëmve se “Kushtetuta e vendit tonë është frymëzuese dhe promovon tolerancën në mes të gjithë qytetarëve të Kosovës”.
Sipas presidentes së Republikës, mbetet në dorë të institucioneve që të punojnë në jetësimin e kësaj Kushtetute dhe ta mbrojnë atë, pasi që mbrojtja e saj nënkupton mbrojtjen e legjitimitetit të shtetësisë së Kosovës.
“Kushtetuta jonë inspiruese dhe aspiruese promovon gjithëpërfshirjen, rendin dhe ligjin, demokratizimin dhe tolerancën ndërmjet të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe na mbetet ne, përfaqësuesve të qytetarëve të këtij shteti, që të përkujdesemi për jetësimin e këtij vizioni. Ajo vendos parimet bazë, të cilat nuk duhet t’i lëkundim, por duhet t’i mbrojmë me gjithë qenien tonë, sepse lëkundja e tyre është komprometim i vet legjitimitetit të shtetësisë tone”, tha Jahjaga.
Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se Kushtetuta është sublimim i të gjitha përpjekjeve për liri dhe pavarësisë, të të gjithë atyre që ranë për këtë ditë.
Derisa në fundshekullin e kaluar fjalët kryesore ishin liria, pavarësia dhe demokracia , të gjitha këto u kurorëzuan me veprën madhore, me aktin më të lartë juridik të shtetit, kushtetutën, tha kryeministri.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës e shpallur shtatë vite më parë si akti më i lartë juridik që kurorëzoi pavarësinë tonë, por edhe si akt politik i cili flet për përgjegjësinë tonë për të ndërtuar një vend të lirë, demokratik, të zhvilluar dhe të integruar në Bashkimin Evropian, është po ashtu një përkushtim i yni për politika të miqësisë të përhershme me SHBA-të dhe të gjithë ata që ndihmuar lirinë dhe pavarësinë”, tha Mustafa.
Nikoqiri i këtij organizimi, ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi, tha se derisa vetë ishte kryetar i Komisionit për Hartimin e Kushtetutës kishte përjetuar emocione të mëdha, pasi që hartimi i saj ishte ëndërr dhe dëshirë e shumë brezave që ranë pikërisht për këtë synim, që një ditë Kosova të bëhej shtet, i pavarur, demokratik dhe sovran.
“Pas 17 shkurtit të vitit 2008, pa dyshim se data e bërjes së Republikës së Kosovës me Kushtetutë është njëra prej kryedatave të saj në historinë tonë më të re. Sa herë që e shënojmë këtë përvjetor, dhe bisedojmë për Kushtetutën, rëndësinë dhe përkujtimin e saj, gjithmonë mendja na shkon te ata burra dhe gra që luftuan për Kosovë, ata që me sakrificë përmendën fjalën Republikë dhe Kushtetutë”, tha Kuçi.
Me këtë rast u përkujtua edhe se anëtare e komisioni për hartimin e kushtetutës ka qenë edhe Nekibe Kelemendi, deputete dhe ish-ministre e Drejtësisë nga radhët e LDK-së, e cila tashmë ka ndërruar jetë.
Kushtetua e Republikës së Kosovës u ratifikua më 9 prill 2008, ndërsa hyri në fuqi më 15 qershor të po atij viti. Pjesa më e madhe e saj rrjedh nga Plani Ahtisari./arbresh.info/
Pse na shtohet dëshira për ushqim gjatë dimrit?
Liverpooli ka një zëvendësues të gatshëm për Salahun –...
I akuzuari për vrasjen e Charlie Kirk paraqitet për herë të ...
Habit sondazhi i Politico: Trump, njeriu më i fuqishëm në Ev...
Katër të arrestuar në Vlorë për pengmarrjen e një kosovari, ...
Android tani ka mundësinë e ndarjes së video live me shërbim...