Kryeministri i vendit, Albin Kurti në maj të vitit 2021 pati paralajmëruar se shteti i Kosovës do të përgatisë padi kundër Serbisë për gjenocid.
“Do të bëjmë dialog parimor, të përgatitur e të barabartë me Serbinë, me marrëveshje të njohjes reciproke. Do ta përgatisim padinë për gjenocid ndaj Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”, kishte thënë Kurti në një mbledhje të Qeverisë.
Megjithatë, Kurti po e kryen mandatin pa e realizuar këtë premtim.
Amer Alija nga Fondi për të Drejtat Humanitare në Kosovë, të cilët merren me monitorimin e rasteve të krimeve të luftës thotë se Kosova ka edhe pengesa të tjera procedural.
Sipas tij në këtë drejtim po punon një grup i ekspertëve, raporton Arbresh.info.
“Kosova ka edhe pengesa të tjera procedurale në rast se padia për gjenocid do të pranohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Vetëm shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara mund të iniciojnë raste pranë kësaj gjykate. Kosova nuk është pjesë e OKB-së dhe për momentin nuk mund të iniciojë procedura pranë kësaj gjykate”, shprehet Alija.
Ai thotë se do të jetë një sfidë e madhe për përpilimin e kësaj padie.
“Në anën tjetër, krimet të cilat kanë ndodhur në Kosovë, ekspertët ndërkombëtarë, prokurorët ndërkombëtarë, gjyqtarët ndërkombëtarë të cilët kanë gjykuar pranë Tribunalit të Hagës, ato krime i kanë kualifikuar si krime kundër njerëzimit dhe krime të luftës. Tani si grupi i ekspertëve të cilët merren me përpilimin e kësaj padie do t’i rikualifikojnë këto vepra penale nga krime kundër njerëzimit në gjenocid. Sigurisht që do të jetë një sfidë e madhe për përpilimin e kësaj padie. E dyta, për pranimin e kësaj padie që të shqyrtohet në këtë gjykatë, si dhe e treta që të bëhet rikualifikimi i veprave penale prej krimeve të luftës në gjenocid ashtu siç e kanë kualifikuar ekspertët në të kaluarën pranë Tribunalit të Hagës”, thotë ai.
Sa i përket dokumentimit të krimeve të luftës, Alija vlerëson se themelimi i Institutit të Krimeve të Luftës është një hap i mirë institucional sepse, siç thotë ai, Kosova ka nevojë për dokumentim e informata zyrtare se sa persona janë vrarë, sa dëme kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë.
Shqiptarët në Kosovë e cilësojnë gjenocid fushatën e forcave serbe të sigurisë gjatë luftës së viteve 1998-1999, ku u vranë mbi 10 mijë veta, mijëra të tjerë llogariteshin të zhdukur, ndërsa mbi 800 mijë shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre.
Në Evropë, gjenocidi i vetëm që njihet nga luftërat në ish-Jugosllavi është ai i Srebrenicës në Bosnje.
Në maj të vitit të kaluar, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën që e shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë./Arbresh.info/Erolinda Gashi/
LEXO EDHE:
Rizvanolli: Kosova nuk ka importuar rrymë nga EFT gjatë qeve...
Ambasadori i ri gjerman viziton Mitrovicën e Veriut, thotë s...
FSK stërvitje ushtarake në Koliq dhe Badovc fundjavën tjetër...
Berlini dërgon aeroplanë luftarakë në Poloni për shkak të dr...
Vrasja e shqiptares në Itali, arrestohet autori i dyshuar – ...
Caktohet data kur nis gjyqi i dytë ndaj ish-presidentit Thaç...