Dëbimi i dy shqiptarëve nga Serbia, Mustafi: Dëshmi e rrugës që ka zgjedhur regjimi i Vuçiqit

22:22 | 23 Janar 2025
E.H

Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi ka reaguar pas dëbimit të dy shtetasve të Shqipërisë nga Serbia, si dhe ndalimin e 14 aktivistëve nga vendet e BE-së.

Me anë të një postimi në Facebook, Mustafi tha se ky rast është një dëshmi e rrugës së gabuar që ka zgjedhur regjimi i Vuçiqit dhe se sipas tij, me pretekstin se po rrezikohet “siguria kombëtare” Serbia po shkel të drejtat themelore të individëve dhe po dëmton marrëdhëniet fqinjësore, përcjell Arbresh.info.

Ndër të tjera, ai akuzoi Serbinë se po rrëshqet drejt izolimit dhe diktaturës.

Reagimi i plotë:

SERBIA PO RRËSHQET DREJT IZOLIMIT DHE DIKTATURËS

Dëbimi i dy shtetasve shqiptarë nga Serbia shtetërore, të cilët po merrnin pjesë në një seminar në Beograd, si dhe ndalimi i 14 aktivistëve nga vende të Bashkimit Evropian dhe rajonit, është dëshmi e rrugës së gabuar që ka zgjedhur regjimi i Vuçiqit. Me pretekstin e rrezikut për “sigurinë kombëtare,” Serbia po shkel të drejtat themelore të individëve dhe po dëmton marrëdhëniet fqinjësore.

Bashkimi Evropian ka reaguar ashpër, duke theksuar se shoqëria civile është shtyllë e një shoqërie demokratike dhe se veprime të tilla bien në kundërshtim me standardet evropiane dhe ndërkombëtare. Veçanërisht shqetësuese është ndikimi që këto akte kanë në marrëdhëniet rajonale, duke përfshirë tensionet e krijuara me Kroacinë, që tashmë u ka rekomanduar qytetarëve të saj të shmangin udhëtimet në Serbi.

Në të njëjtën kohë, glorifikimi i kriminelëve të luftës si Nebojsha Pavkoviq, përmes konkursit për një mural në Qupri, tregon fytyrën e vërtetë të politikës serbe: një regjim që jo vetëm refuzon të ballafaqohet me të kaluarën, por e përdor atë për të promovuar shovinizëm dhe përçarje.

Serbia po zhytet në një spirale të autoritarizmit, ku protestat studentore dhe kërkesat për ndryshim trajtohen si “komplot perëndimor,” dhe qytetarët e rajonit përballen me kufizime të pajustifikuara. Ky rrëshqitje drejt një modeli të izoluar dhe antidemokratik rrezikon paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Në vend që të ndërtojë një të ardhme evropiane dhe të respektojë liritë demokratike, Serbia po ndjek modelin e një autoritarizmi lindor, duke kërcënuar paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

E nëse Serbia synon një të ardhme evropiane, duhet të heqë dorë nga politikat shoviniste, glorifikimi i krimeve dhe të respektojë liritë themelore të individëve. Pa këto ndryshime, rruga e saj drejt BE-së është një iluzion i largët./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale